Fushë-Arrëzi kundër reformës: Referendum për shkrirjen e bashkisë

“Do ta çojmë në Referendum”: Planet për shkrirjen e Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Curri: Kemi 4 miniera, 3 fabrika uji…

Publikuar më 01.08.2026 nga shekulli_admin

FUSHË-ARRËZ – Reforma e re territoriale, e propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive, është kundërshtuar në masë nga qytetarët e këtyre zonave, por edhe nga drejtuesit aktualë lokalë.

Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Hil Curri, u shpreh kundër projektligjit të propozuar nga PS, duke theksuar se qytetarët duhet të pyeten përmes një referendumi.

Sipas Currit, deri më tani nuk është zhvilluar asnjë konsultim me komunitetin për këtë proces, ndërsa bashkia nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me reformën.

“Ne si bashki nuk kemi asnjë lloj njoftimi zyrtar nga asnjë institucion për reformën. Por paraprakisht, Bashkia e Fushë-Arrëzit i ka marrë të gjitha masat, është lajmëruar Këshilli Bashkiak dhe ka filluar procesi me anë të organizatave të shoqërisë civile, për kalimin në referendum”, tha Curri.

Kryebashkiaku theksoi se Fushë-Arrëzi ka potencial të konsiderueshëm ekonomik dhe industrial, duke përmendur aktivitetin minerar dhe bizneset që operojnë në territorin e bashkisë.

Ai bëri të ditur se do të kërkojë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, diasporës dhe organizatave të shoqërisë civile për të kundërshtuar këtë nismë, ndërsa u bëri thirrje deputetëve të të gjitha forcave politike të mos e mbështesin një vendim të tillë.

“Fushë-Arrëzi është një bashki që ka potencial, ka një industri. Sot që po flasim kemi katër miniera, tre fabrika uji dhe potenciali industrial në bashkinë tonë është më i madh se në çdo bashki tjetër, mendoj. Mendoj se me mjetet demokratike, Bashkia e Fushë-Arrëzit do të jetë ndër bashkitë që do t’i dalë zot vetes dhe mendoj që këtu do të lobojmë shumë edhe me institucionet ndërkombëtare, diasporën, shoqërinë civile. Nuk do të jetë e lehtë që Bashkia e Fushë-Arrëzit të shkrihet. Deputetët e djathtë dhe të majtë të mos e votojnë”, tha ai.

Scroll to Top