Bllokimi në Kufirin Kroaci-Mali i Zi: Reagimi i Ministrisë

Mijëra qytetarë në pritje për të kaluar kufirin Kroaci – Mali i Zi, destinacion i përdorur nga 300 mijë shqiptarë. Ministria e Jashtme: Po koordinohemi për kalim më të shpejtë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi, ku mijëra udhëtarë, përfshirë shtetas shqiptarë, janë përballur me pritje të gjata dhe trafik të rënduar.

Në një njoftim zyrtar, ministria bën të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim që kalimi i qytetarëve të zhvillohet sa më shpejt dhe me sa më pak vonesa.

Sipas MEPJ-së, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi në secilin shtet, po punohet për shtimin e kapaciteteve në pikat kufitare, me synim minimizimin e kohës së pritjes dhe lehtësimin e qarkullimit të udhëtarëve.

Reagimi i ministrisë vjen në një kohë kur mijëra qytetarë, të bllokuar prej orësh në kufi, kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve për zgjidhjen e situatës dhe përshpejtimin e procedurave të kalimit. Kjo pikë kalimi përdoret nga afro 300 mijë qytetarë shqiptarë gjatë sezonit të verës.

Reagimi i plotë i MEPJ-së:

  • Rritja e ndjeshme e mobilitetit në rajon dhe flukset gjithnjë e më të mëdha të udhëtarëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë me rrugë tokësore gjatë sezonit turistik shoqërohen, në periudhat e pikut, me pritje të gjata në pikat kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi.
  • Ky është një fenomen që, për shkak të volumit shumë të lartë të lëvizjeve, përsëritet pothuajse çdo verë, veçanërisht gjatë fundjavave dhe ditëve me fluksin më të madh.
  • Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësitë tona diplomatike janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet përgjegjëse, me synimin që, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi në secilin shtet, kalimi i qytetarëve të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i lehtë, duke shtuar kapacitetet për të minimizuar, në masën më të madhe të mundshme, pritjet në pikat kufitare.
  • Vetëm gjatë sezonit veror, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë përmes këtij korridori rrugor.
  • Një volum i tillë lëvizjesh krijon, në periudha të caktuara, ngarkesa të konsiderueshme për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare.
  • Megjithatë, kjo nuk e zbeh angazhimin tonë për të bashkërenduar veprimet me autoritetet përkatëse, për të identifikuar zgjidhje praktike dhe për të lehtësuar sa më shumë lëvizjen e qytetarëve tanë, deri në ditën kur hapësira Schengen të shtrihet tërësisht edhe në këtë pjesë të rajonit tonë.
Scroll to Top