“`html
Konfindustria: Rritja e çmimit të hidrokarbureve e paarsyeshme, qeveria të ndërhyjë menjëherë
Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë të ndërhyjë menjëherë në tregun e karburanteve, duke e cilësuar si të fortë dhe të pajustifikuar rritjen e çmimeve gjatë 10 ditëve të fundit të korrikut dhe në vazhdim.
Njoftimi i Konfindustrias thekson se, përballë kësaj situate, kërkohet ndërhyrja e menjëhershme rregullatore e qeverisë në katër drejtime:
- Së pari, kërkohet një ulje me të paktën 15% të barrës së taksave mbi karburantet. Ky veprim pritet të ndikojë në një ulje të çmimeve me pakicë prej të paktën 20 lekë për litër. Si shembull, përmenden Italia dhe Gjermania, të cilat kanë zbatuar menjëherë ulje të taksave prej 15-20% për karburantet, me efekt të drejtpërdrejtë në treg.
- Së dyti, kërkohet rivendosja e Bordit të Transparencës, me qëllim që çdo ulje e mundshme e taksave të përcillet plotësisht te qytetarët dhe bizneset, dhe jo te operatorët e karburanteve. Theksohet se tregu i karburanteve në Shqipëri është një treg tipik monopol dhe oligopol i pastër.
- Së treti, kërkohet nga institucionet një kontroll i menjëhershëm i cilësisë së karburanteve që qarkullojnë në treg. Ka të dhëna për hedhjen në treg të sasive të mëdha të karburantit jashtë standardeve Euro 3, me pasoja të rënda për shëndetin, mjedisin, automjetet dhe buxhetin e shtetit.
- Së katërti, kërkohet ndërhyrja e jashtëzakonshme e institucioneve shtetërore dhe SPAK për luftën kundër kontrabandës së karburanteve, e cila shkakton dëme qindra milionë Euro në buxhetin e shtetit. Si një e dhënë e qartë, përmendet goditja e autoriteteve të Kosovës ndaj linjave të kontrabandës së karburanteve nga Shqipëria, të cilat rezultuan të mbushura me ujë në doganën kosovare.
Çmimet me pakicë të naftës në tregun vendor janë prej kohësh në nivelet e 2,15-2,2 euro për litër, ndjeshëm më të larta se vendet e rajonit dhe shumë shtete të BE-së. Kjo situatë sjell një goditje shtesë të fortë dhe shkatërruese mbi industritë, prodhimin vendor dhe qytetarët.
“`