Euro bie ndaj Lekut: Arsyet dhe tendencat historike

Gushti nis me thellim të rënies së Euros në kursin ndaj Lekut

Muaji gusht ka shënuar një thellim të mëtejshëm të rënies së Euros në kursin e këmbimit me Lekun. Të hënën, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 93.36 lekë, duke arritur nivelin më të ulët historik.

Që nga fillimi i vitit, kursi i Euros ndaj Lekut ka rënë me 3.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, zhvlerësimi i Euros ka arritur në 4.15%.

Agjentët e këmbimit valutor shpjegojnë se rënia e Euros në këtë periudhë lidhet kryesisht me efektin e sezonit veror. Piku i sezonit turistik sjell rritje të flukseve valutore hyrëse, gjë që zakonisht rezulton në uljen e kursit të këmbimit Euro-Lek gjatë muajve të verës.

Në të dhënat historike, kulmi i këtij efekti sezonal bie në periudhën mes gjysmës së dytë të korrikut dhe gjysmës së parë të gushtit, duke e vendosur rënien e Euros në përputhje me këto tendenca.

Megjithatë, përtej ndikimit të sezonit veror, zhvlerësimi i Euros është një tendencë e qëndrueshme që ka vijuar për më shumë se një dekadë dhe është theksuar ndjeshëm pas pandemisë. Kjo periudhë përkon me rritjen e shpejtë të sektorëve të turizmit dhe të pasurive të paluajtshme.

Vlerësohet se të dy këta sektorë kanë kontribuar në mënyrë të rëndësishme në rënien e kursit të këmbimit Euro-Lek, duke nxitur rritjen e flukseve valutore hyrëse.

Bilanci i pagesave u përmirësua ndjeshëm vitin e kaluar, duke shënuar deficitin më të ulët historik. Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2025, deficiti i llogarisë korrente ishte 178 milionë euro, duke u ulur me 70% krahasuar me vitin 2024. Sektori i turizmit ishte kontribuuesi kryesor.

Ndërkohë, sektori i pasurive të paluajtshme ka tërhequr sasi të mëdha investimesh të huaja. Paralelisht, vlerësohet se ai gjithashtu thith shuma të konsiderueshme valutore nga aktivitetet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

Pasuritë e paluajtshme po dominojnë gjithnjë e më shumë investimet e huaja direkte. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për tremujorin e parë të këtij viti arritën në 172 milionë euro, duke u rritur me 65% krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar. Këto investime përbënë pothuajse 43% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte, duke arritur peshën më të lartë historike në strukturën e tyre.

Statistikat tregojnë se në fund të tremujorit të parë, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme arriti rreth 2.83 miliardë euro. Që nga fillimi i vitit 2020, stoku i investimeve të huaja në real estate është rritur me 486%.

Një faktor tjetër që besohet se po nxit rënien e Euros kundrejt Lekut është tendenca në tkurrje të ofertës së monedhës vendase në tregun e brendshëm, kryesisht për shkak të politikës fiskale të ndjekur nga Qeveria Shqiptare. Në vitet e fundit, buxheti ka qenë në suficit për pjesën më të madhe të vitit. Për 6-mujorin e vitit 2026, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord prej 52.8 miliardë lekësh, duke u rritur me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Scroll to Top