Bllokohet plani i ministrit izraelit: Ndalohet përdorimi i krokodilëve të Nilit për të ruajtur të burgosurit palestinezë
Një gjykatë izraelite ka bllokuar përkohësisht Ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, nga përdorimi i krokodilëve të Nilit si masë sigurie për të burgosurit, shumica e të cilëve janë palestinezë.
Në dhjetor, Ben-Gvir propozoi rrethimin e burgjeve me hendeqe të mbushura me krokodilë, duke argumentuar se këto kafshë do të rrisnin sigurinë dhe do të parandaloheshin arratisjet.
Fillimisht, Autoriteti i Natyrës dhe Parqeve të Izraelit e konsideroi planin të parealizueshëm, pasi krokodilët e Nilit janë kafshë të egra dhe mund të mbahen vetëm në kopshte zoologjike dhe rezervate. Megjithatë, muajin e kaluar, Ministrja e Mbrojtjes së Mjedisit, Idit Silman, hoqi këtë pengesë duke i riemërtuar ata si “kafshë të egra të kujdesura”, duke hapur kështu mundësinë për vendosjen e tyre në burgje.
Të dielën, Gjykata e Qarkut të Jerusalemit lëshoi një urdhër ndalimi kundër projektit, pas një kërkesë nga organizata për të drejtat e kafshëve, Let Animals Live. Gjykatësi Avraham Rubin vendosi që shteti nuk mund të kapë krokodilë apo t’i përgatisë për transferim deri në njoftim të mëtejshëm. Urdhri do të mbetet në fuqi ndërsa gjykata shqyrton një urdhër ndalimi afatgjatë, dhe qeveria duhet të japë përgjigje deri më 16 gusht.
Ben-Gvir kritikoi vendimin, duke akuzuar gjyqësorin se po përkrahte “terroristët” dhe po pengonte masat që synojnë forcimin e parandalimit izraelit. “Ne e dimë që terroristët shqetësohen për mbërritjen e krokodilëve, por sot gjykata u erdhi në ndihmë,” tha ai, sipas Jerusalem Post.
Sipas grupit të të drejtave të njeriut Addameer, rreth 10,000 të burgosur politikë palestinezë mbahen në burgjet izraelite, një numër që është pothuajse dyfishuar që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023. Më shumë se një e treta e tyre janë të paraburgosur administrativë, të mbajtur pa akuza penale apo gjyq, bazuar në urdhra gjashtëmujorësh të rinovueshëm për një kohë të pacaktuar, shpesh mbi bazën e provave sekrete që u fshihen atyre dhe avokatëve të tyre.
