Shqipëria: Shtëpitë më të shtrenjta në Europë kundrejt të ardhurave

**Shqipëria, ndër vendet më të shtrenjta në botë për të blerë shtëpi në raport me të ardhurat, e dyta në Europë**

Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet më të shtrenjta në Europë për të blerë një shtëpi në raport me të ardhurat e familjeve, duke u renditur ndër tregjet më pak të përballueshme në nivel global.

Sipas një harte të publikuar nga “Visual Capitalist”, e cila përdor të dhëna nga UN-Habitat, World Cities Report 2026, çmimi i një banese në Shqipëri është i barabartë me të ardhurat e një familjeje për 15.7 vjet. Ky tregues e rendit Shqipërinë në vendin e 156-të nga 181 vende dhe territore, ku vendet në fund të klasifikimit janë ato me banesat më pak të përballueshme.

Në Europë, vetëm Serbia ka një raport më të lartë, prej 15.9 vjetësh të ardhura. Në nivel botëror, Shqipëria renditet mes 26 vendeve ku blerja e një banese është më e vështirë në raport me të ardhurat.

Raporti mes çmimit të shtëpisë dhe të ardhurave tregon numrin e viteve të ardhurash vjetore të një familjeje që nevojiten për të përballuar çmimin e një banese tipike. Sa më i lartë të jetë ky raport, aq më pak i përballueshëm është tregu i banesave. Treguesi i Shqipërisë është rreth 40% më i lartë se mesatarja globale prej 11.2 vjet të ardhura.

Çmimi mesatar i një banese është i barabartë me të ardhurat e plota që një familje siguron gjatë pothuajse 16 viteve. Megjithatë, në praktikë, koha për të blerë një shtëpi është shumë më e gjatë, pasi familjet duhet të mbulojnë edhe shpenzimet jetësore si ushqimi, energjia, transporti, arsimi dhe nevojat e tjera. Ky tregues përdoret kryesisht për qëllime krahasimi me shtetet e tjera.

**Shqiptarët duhet të punojnë më shumë se vendet e zhvilluara të Europës**

Në nivel botëror, Siria ka raportin më të lartë mes çmimit të banesës dhe të ardhurave, prej 86.7 vjetësh. Pas saj vijnë Sri Lanka (40.8 vjet), Kina (34.6 vjet), Nepali (32.8 vjet) dhe Kamboxhia (32.5 vjet).

Në Europë, pas Serbisë dhe Shqipërisë, raportet më të larta shënohen në Çeki (14.9 vjet), Hungari (14.6 vjet), Kroaci dhe Sllovaki (nga 13.2 vjet), Mal të Zi (13.1 vjet), Lituani (12.7 vjet) dhe Portugali (12.6 vjet).

Për krahasim, blerja e një banese rezulton më e përballueshme në disa vende kryesore ku shqiptarët kanë emigruar:

* Greqi: rreth 12.5 vite të ardhura familjare
* Itali: 9.7 vite
* Gjermani: 10.7 vite

Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë raportin më të ulët në botë, vetëm 3 vjet të ardhura familjare.

Shtetet e Bashkuara renditen gjithashtu ndër tregjet më të përballueshme, me një raport prej 4.5 vjetësh të ardhura. Sipas “Visual Capitalist”, në vendet e Gjirit, të ardhurat relativisht të larta dhe programet e strehimit të mbështetura nga qeveritë kontribuojnë në përballueshmërinë e banesave.

**Çmimet e apartamenteve në Tiranë u rritën 122% në shtatë vjet**

Renditja e Shqipërisë ndër vendet më të shtrenjta për blerjen e banesave vjen pas një rritjeje të konsiderueshme të çmimeve të pronave, sidomos në Tiranë.

Sipas të dhënave të “Keydata”, të publikuara nga “Monitor”, çmimi mesatar i apartamenteve në kryeqytet arriti në mars 2026 rreth 2,141 euro për metër katror. Krahasuar me marsin 2019, kur çmimi mesatar ishte rreth 965 euro për metër katror, apartamentet në Tiranë janë shtrenjtuar me rreth 122% brenda shtatë viteve.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve gjatë vitit të fundit në kryeqytet është nxitur nga kërkesa e lartë për prona, zgjerimi i ndërtimeve të reja, çmimet më të larta në zonat qendrore dhe projektet e reja rezidenciale, si dhe kanalizimi i parave informale në ekonomi.

Me çmimin mesatar të marsit 2026, një apartament me sipërfaqe 70 metra katrorë në Tiranë kushton rreth 150 mijë euro. Kjo shumë është e papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare, duke pasur parasysh pagën mesatare bruto në vend prej më pak se 900 euro dhe atë neto rreth 750 euro.

Scroll to Top