Zbulohet email sekret i ushtrisë amerikane: CENTCOM kërkon mënyra jokonvencionale për të ndëshkuar Iranin, prapaskenat e sulmit të anuluar nga Trump
Një komunikim i brendshëm i ushtrisë amerikane ka nxjerrë në pah shqetësimet dhe ngërçin strategjik të Uashingtonit ndaj Teheranit. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka kërkuar mënyra të reja, kreative dhe jokonvencionale për të ushtruar presion ndaj Iranit.
Sipas raportimit të CNN-it, një zyrtar i lartë i inteligjencës në CENTCOM u ka dërguar të mërkurën një email një numri të madh analistësh ushtarakë, duke u kërkuar propozime urgjente përballë opsioneve të ngushtuara.
“Na duhen ide”, thuhej shprehimisht në mesazhin e brendshëm, ku kërkoheshin mënyra të reja për ushtrimin e presionit dhe ndëshkimin e Iranit. Ekzistenca e këtij mesazhi është konfirmuar nga dy burime të njohura me komunikimin.
Kërkesa e pazakontë, e cila i ngjante një sesioni të gjerë për mbledhjen e ideve, shihet si tregues se administrata amerikane po përballet me një numër gjithnjë e më të kufizuar alternativash përballë Teheranit. Zyrtarët ushtarakë kanë pranuar se dërgimi i një kërkese të tillë përmes emailit nuk është praktikë e zakonshme, ndërsa CENTCOM po shqyrton të gjitha mundësitë dhe po rivlerëson strategjinë e saj.
“Komanda Qendrore e SHBA-së ka një histori të gjatë të të menduarit dhe veprimit inovativ,” deklaroi kapiteni Timothy Hawkins, zëdhënës i CENTCOM-it.
Ky email u dërgua përpara kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për nisjen e sulmeve të reja ndaj Iranit. Trump më pas hoqi dorë nga operacioni i planifikuar gjatë fundjavës, pas ndërhyrjes së disa zyrtarëve rajonalë. Sipas raportimit, princi saudit i kurorës ishte ndër zyrtarët që i telefonuan Trumpit dhe i kërkuan të shmangte përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Trump deklaroi se sulmi i planifikuar ishte anuluar me kusht që Shtetet e Bashkuara dhe Irani të arrijnë shpejt një marrëveshje, duke pretenduar se ishte shënuar përparim në negociata, përfshirë çështjen e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, mediat shtetërore iraniane nuk kanë dhënë shenja se Teherani ka kërkuar anulimin e sulmeve apo se ka ndryshuar qëndrimin lidhur me këtë korridor strategjik detar.
