Ministri Lamallari: Shpallur persona “non-grata” për sigurinë

Protesta, ministri Lamallari: Kam shpallur të tjerë “non-grata”, janë kërcënim për vendin

Publikuar më 03.08.2026

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka komentuar protestat që vazhdojnë prej 65 ditësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, masat ndaj personave që konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare, si edhe situatën e zjarreve në vend.

Duke u fokusuar fillimisht te protestat, Lamallari theksoi se Policia e Shtetit ka treguar maturi dhe ka vepruar në përputhje me ligjin dhe standardet për menaxhimin e tubimeve publike.

Lidhur me masat ndaj personave që cilësohen rrezik për sigurinë kombëtare, Lamallari konfirmoi se nuk bëhet fjalë vetëm për rastin e Ikballe Hudutit (Berisha), e cila është shpallur e padëshiruar (non grata) në Shqipëri për 15 vjet. Ai sqaroi se ka firmosur edhe vendime të tjera për shpalljen “të padëshiruar” të personave të cilët, sipas vlerësimeve të agjencive të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit, përbëjnë kërcënim real për vendin.

“Fakt është dhe kjo është e dëshmuar, një rast që ju përmendët më herët, ku unë në zbatim të së drejtës që më jep ligji për të shpallur person të padëshiruar në vendin tonë për 15 vite, ishte dhe rasti i zonjës Ikballe Huduti, e cila në fakt, sipas informacioneve të administruara nga agjencitë e shërbimit informativ dhe të zbatimit të ligjit, provohej se kishte lidhje dhe veprimtari, të cilët përbëjnë shqetësim dhe kërcënim për Shqipërinë. Nuk është vetëm ky rast, edhe pse nuk është bërë publike, edhe më pas në javët në vijim ka pasur raste të tjera, të cilët i kam shpallur persona të padëshiruar në zbatim të atributeve që më jep ligji“, tha ai në një intervistë për “Klan News”.

I pyetur nëse këta persona janë personazhe publike, ministri Lamallari nuk dha detaje. “Jo detyrimisht, por persona, që sigurisht me shfaqje dhe tendenca shqetësuese ekstremiste, të cilët në tërësinë e tyre, pavarësisht rrymave të ndryshme, të mbështetjes, financimit dhe propagandimit, vlerësohen nga agjencitë e Shqipërisë se përbëjnë kërcënim real për vendin dhe qytetarët shqiptarë dhe rrjedhimisht detyrohem të ndërmarr një vendimmarrje të tillë”, u shpreh ai.

Scroll to Top