Titulli: Tubimi i 65-të para Kryeministrisë, protestuesi: Mund të arrijmë deri në mosbindje civile
Protesta qytetare kundër qeverisë u zhvillua edhe këtë të hënë në Tiranë, duke shënuar tubimin e 65-të.
Qytetarët marshuan nga Sheshi “Skënderbej” drejt godinës së Kryeministrisë, ku kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe largimin e klasës politike aktuale.
Me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje si “Rama në burg, Berisha në burg”, protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre për situatën politike dhe sociale në vend.
Gjatë tubimit, një prej protestuesve vlerësoi pjesëmarrjen e qytetarëve gjatë më shumë se dy muajve protestë, duke deklaruar se lëvizja ka rikthyer shpresën dhe se, sipas tij, “frika është vrarë përfundimisht”. Ai u shpreh se “partia” e protestuesve është “Shqipëria e Re”, duke theksuar se qytetarët po bashkohen përtej ndarjeve politike.
Një tjetër protestues paralajmëroi se protesta mund të përshkallëzohet në mosbindje civile, duke argumentuar se pakënaqësitë qytetare po shtohen dhe se lëvizja po gjen mbështetje edhe në qytete të tjera të vendit.
“Kjo është qeveria e parë që njihet ndërkombëtarisht se fsheh në Shqipëri para të pista, jo vetëm të mafiozëve shqiptarë, por edhe të atyre të huaj. Dua që kjo protestë të zgjasë, pasi është maratonë, jo sprint. Kjo protestë mund të përshkallëzohet në mosbindje civile anembanë Shqipërisë”, tha ai.
Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë tubimet e tyre edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur në kërkesat për ndryshime politike dhe institucionale.
