Protesta 65 Ditore kundër qeverisë

Dita e 65-të e protestës: Qytetarët marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

TIRANË – Sot, të hënën, qytetarët janë mbledhur sërish për protestën e përditshme, duke shënuar ditën e 65-të radhazi të saj. Protestuesit u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.

Me thirrje dhe pankarta në duar, ata kërkojnë largimin e kryeministrit dhe ndryshimin e sistemit politik 36-vjeçar. Protestuesit theksuan se marshimi do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Një nga qytetarët bëri thirrje për veprim kundër klasës politike aktuale. Ai u shpreh:

“Ju përshëndes. Jeni qëndrestarët më të fortë. Si ka mundësi që Ermal Beqiri, ky person me veprimtari të dyshimtë, shkon në Francë dhe blen apartamente e avion privat, ndërsa nuk kapet as nga policia franceze dhe as nga ajo shqiptare? Si ka mundësi? Zgjohuni nga gjumi që t’i kapim këta persona dhe t’i vëmë para drejtësisë. Nuk kemi pasur liri dhe demokraci prej 36 vitesh. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, socialistë e demokratë, të vijnë në shesh dhe ta dorëzojmë kryeministrin para drejtësisë. Të bëhemi bashkë.”

Lëvizja protestuese nisi më 31 maj, fillimisht si reagim ndaj zhvillimeve në zonën e Zvërnecit, por më pas u shndërrua në një protestë qytetare me kërkesa më të gjera.

Prej më shumë se dy muajsh, protestuesit mbajnë fjalime përpara Kryeministrisë dhe zhvillojnë marshime në rrugët kryesore të Tiranës, duke shprehur pakënaqësitë për çështje që lidhen me ekonominë, rritjen e çmimeve, pagat e ulëta, funksionimin e institucioneve dhe situatën sociale në vend.

Një ndër temat që ka nxitur debate dhe tensione në disa qytete është edhe reforma territoriale, e cila, sipas propozimeve të mazhorancës, parashikon shkrirjen e 15 bashkive në rang vendi.

Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin e tyre edhe në ditët në vijim.

Scroll to Top