Pesë ankesa kanë çuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) tre procedura tenderuese për shërbimin e lavanderisë në spitale, me një fond limit të përbashkët prej rreth 608.2 milionë lekësh, ose mbi 6.1 milionë euro.
Tenderët, të zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, lidhen me shërbimin e lavanderisë për Spitalin Rajonal “Memorial” Fier, Qendrën Spitalore Rajonale Berat dhe Spitalin Rajonal Durrës.
Procedura me fondin më të lartë është ajo për Spitalin Rajonal Durrës, me një fond limit prej rreth 296.98 milionë lekësh. Ankesa për këtë tender është paraqitur nga një operator ekonomik.
Për Spitalin Rajonal “Memorial” Fier, fondi limit arrin në 188.48 milionë lekë. Kjo procedurë është ankimuar nga dy operatorë ekonomikë, të cilët kanë kundërshtuar rezultatin e fazës së vlerësimit.
Tenderi për Qendrën Spitalore Rajonale Berat ka një fond limit prej rreth 122.76 milionë lekësh dhe ka përfunduar në KPP pas ankesave të paraqitura nga dy operatorë ekonomikë.
Në total, bëhet fjalë për pesë ankesa të lidhura me tre procedura të ndryshme prokurimi, të cilat janë hapur në periudha të ndryshme kohore gjatë këtij viti. Të gjitha ankesat kanë të bëjnë me vlerësimin e ofertave, duke kaluar kështu shqyrtimin e procedurave pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Periudha për të cilën kërkohet shërbimi zakonisht është disa vjeçare, duke bërë që edhe vlera e tenderave të jetë e konsiderueshme. Për shembull, për shërbimin në spitalin “Memorial” në Fier, koha e kërkuar për mbulimin e shërbimit është 48 muaj, po aq sa edhe për spitalin në Durrës, tenderi për të cilin u hap në maj të këtij viti.
Kjo nuk është hera e parë që tenderat për shërbimin e lavanderisë në spitalet e vendit përfundojnë të ankimuara. Këto tenderë janë zakonisht pjesë e marrëveshjeve kuadër, çka do të thotë se për të njëjtin shërbim mund të hyjnë në marrëveshje disa operatorë ekonomikë.
