Zjarret në Delvinë e Finiq: Situatë e vështirë, angazhohen helikopterë

Zjarret në Delvinë dhe Finiq: Lamallari thekson situatë të vështirë, jeta e qytetarëve prioritet. Angazhohen 3 helikopterë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar në lidhje me situatën e zjarreve që kanë përfshirë disa zona në bashkitë e Delvinës dhe Finiqit. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Lamallari publikoi edhe pamje nga operacioni i evakuimit të banorëve të prekur, duke theksuar se strukturat e emergjencës janë të angazhuara në terren.

“Prej orësh po përballemi me një situatë të vështirë nga zjarret në disa fshatra të Delvinës dhe Finiqit”, u shpreh ministri. Autoritetet vijojnë ndërhyrjen për vënien nën kontroll të flakëve dhe garantimin e sigurisë së banorëve, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse.

Lamallari theksoi se, përveç strukturave të tjera, edhe tre helikopterë janë angazhuar për shuarjen e flakëve.

“Prej orësh po përballemi me një situatë të vështirë nga zjarret në disa fshatra të Delvinës dhe Finiqit. Të gjitha strukturat tona janë në terren dhe operacioni vijon pa ndërprerje, si nga toka ashtu edhe nga ajri, me angazhimin e forcave të shumta zjarrfikëse, të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, shërbimeve vendore dhe 3 helikopterëve. Prioriteti ynë absolut është mbrojtja e jetës së qytetarëve, e banesave dhe e çdo pasurie të rrezikuar. Ju bëjmë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo veprim që mund të krijojë rrezik shtesë”, shkruan Lamallari.

Scroll to Top