“`html
Protesta e 66-të në Tiranë, përfaqësuesja e diasporës nga Mynihu: “Revolta vijon edhe në Gjermani”
TIRANË – Qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” në protestën e tyre të 66-të, kundër investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë. Ata kundërshtuan projektin dhe parashtruan kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkuan:
- Shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
- Ndryshimin e ligjit zgjedhor.
- Largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.
Gjatë marshimit, u dëgjuan gjithashtu thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Sali Berisha. Protestuesit artikuluan akuza ndaj institucioneve dhe parlamentit.
Një qytetare, e cila kishte ardhur nga Mynihu, iu drejtua protestuesve para Kryeministrisë, duke bërë thirrje për bashkim dhe duke theksuar se diaspora mbështet protestat që po zhvillohen në Shqipëri.
“Vij nga Mynihu. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, revolucioni bëhet këtu, në shesh. Shqipëria kërkon revolucion. Kjo klasë politike është më e kalbur se ato spitale,” u shpreh ajo, duke shtuar:
“Sapo kam ardhur nga spitali, pasi kisha një të afërm të shtruar dhe nuk e di se si qëndrojnë pacientët në ato kushte, pa kondicioner. Edhe kur janë të sëmurë, njerëzit duhet të trajtohen me dinjitet. Këtë të premte në Mynih do të mbahet protesta e radhës. Ju keni mbështetjen e diasporës. Diaspora është me ju. Më 14, 15 dhe 16 gusht, shumë miq të mi do të jenë në këtë shesh, së bashku me ne. Do të jemi bashkë për të sjellë revolucion. Ka ardhur koha për revolucion.”
“`
