**Valon Bela shpallet “non grata” në Shqipëri: “Qeveritë vijnë e shkojnë, historia mbetet”**
**TIRANË** – Valon Bela, gazetar dhe politikan nga Maqedonia e Veriut, ka reaguar ndaj vendimit të shpalljes “non grata” në Shqipëri. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Bela shprehu bindjen se asnjë qeveri nuk mund të ndryshojë historinë apo të ndajë shqiptarët në “brenda” dhe “jashtë” kufijve. Ai kritikoi qeverinë Rama për qëndrimet e saj ndaj presidentit serb Vuçiç dhe për marrëdhëniet me shqiptarët në rajon.
**Postimi i Valon Belës:**
“Faleminderit miqve dhe dashamirëve që më njoftuan dhe më ofruan mbështetjen tuaj. Ky është reagimi im ndaj shpalljes sime si ‘person i padëshiruar’ nga Qeveria e Edi Ramoviçit, vëllait siamez të Vuçiqit.
Një vendim administrativ nuk mund të fshijë historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tre luftërave kombëtare shqiptare shpallet ‘i padëshiruar’ në shtetin shqiptar, pyetja nuk është vetëm kush u shpall ‘non grata’, por çfarë mesazhi po i dërgohet kujtesës sonë kombëtare.
Shqiptarët nuk janë ndarë kurrë në ata ‘brenda’ dhe ‘jashtë’ kufijve kur bëhet fjalë për idealet kombëtare. Ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve nuk mund të gjykohen vetëm me vendime administrative, sidomos kur mungon transparenca dhe një shpjegim i qartë publik.
Asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe asnjë mandat politik nuk është i përjetshëm. Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa historia mbetet. Ata që sot marrin vendime përjashtuese duhet të jenë të vetëdijshëm se do të gjykohen jo vetëm nga bashkëkohësit, por edhe nga brezat që do të vlerësojnë nëse kanë mbrojtur interesin kombëtar apo interesat e momentit.
Ky vendim vjen sidomos kur një qeveri fyen rëndë Kosovën, pret Vuçiqin me tepih të kuq dhetrajton brutalisht popullin e vet që mendon ndryshe. Dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet, por me veprën që ka lënë pas dhe me respektin që gëzon në mesin e popullit, ndryshe nga qeveria aktuale që gëzon respekt vetëm nga ata që kanë kryer krime kundër fëmijëve. Dhe mu në sinkron të plotë, Rama & Vuçiq më fusin në listën e të padëshiruarve. Kjo flet shumë!”
**Çfarë ndodhi sot:**
Me urdhër të ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Valon Bela dhe Bekir Halimi, u shpallën “non grata” në Shqipëri për 10 vite. Ata dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të dyshimta kundër shtetit shqiptar. Për Valon Belën është lëshuar edhe një urdhër dëbimi nga Shqipëria. Vendimi i fundit u firmos nga Lamallari pas informacioneve nga shërbimet informative shtetërore, të cilat theksojnë lidhje të Belës dhe Halimit me veprimtari që përbëjnë rrezik dhe kërcënim për vendin.
Në qershor, Lamallari shpalli “person të padëshiruar në Shqipëri” për 15 vite Ikballe Huduti Berisha, pasi ajo mori pjesë në protesta në Tiranë. Huduti akuzohet për lidhje të forta me regjimin iranian, ndërsa është publikuar edhe një fotografi e saj krah ish-presidentit të Iranit Mahmud Ahmadinexhad.
