Atentat ndaj drejtorit të fabrikës ruse të dronëve

Atentat ndaj prodhuesit rus të dronëve: Makina shpërtheu, shoferi vdiq, drejtori në gjendje kritike

Një atentat është kryer ndaj Vladimir Tkachuk, drejtorit të fabrikës ruse të prodhimit të dronëve ushtarakë Uraldrone. Automjeti me të cilin udhëtonte Tkachuk shpërtheu në rrethana ende të paqarta.

Nga shpërthimi i fuqishëm humbi jetën shoferi i automjetit. Tkachuk mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje kritike në Njësinë e Kujdesit Intensiv.

Sulmi ndodhi në fshatin Bolshoi Istok, rreth 25 kilometra nga Jekaterinburgu. Sipas informacioneve paraprake dhe burimeve të cituara nga Kommersant-Ural, në automjet ishte vendosur ose ishte aktivizuar një mjet shpërthyes.

Autoritetet ruse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar mbi autorët apo motivin e sulmit.

Vladimir Tkachuk drejton fabrikën Uraldrone, një nga ndërmarrjet kryesore të industrisë së mbrojtjes në Rusi për prodhimin e dronëve ushtarakë. Fabrika prodhon dronin Upyr FPV (First Person View), një dron taktik i përdorur gjerësisht nga forcat ruse në luftën në Ukrainë për goditjen e automjeteve të blinduara, pozicioneve të fortifikuara dhe objektivave të tjerë ushtarakë.

Ngjarja vjen në një kohë kur objektivat e lidhur me industrinë ruse të mbrojtjes janë bërë gjithnjë e më shpesh shënjestër e sulmeve dhe akteve të sabotimit, megjithëse motivi i këtij atentati mbetet ende i paqartë.

Scroll to Top