Euro arrin 93 lekë: Zhvlerësimi vazhdon

Euro në “tatëpjetë”, i afrohet kufirit të 93 lekëve

Euro po vazhdon të humbasë terren në kursin e këmbimit me Lekun, duke shënuar minima të reja historike. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 93.13 lekë, duke shënuar një rënie prej 0.15 pikë krahasuar me të martën.

Që nga fillimi i vitit, kursi i Euros me Lekun ka rënë me 3.8%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, zhvlerësimi i Euros ka arritur në 4.3%.

Agjentët e këmbimit valutor shpjegojnë se tregu ndodhet nën efektin e prurjeve të sezonit turistik, periudhë që në këtë kohë të vitit arrin kulmin.

Megjithatë, rënia sezonale e kursit të Euros është në vazhdim të një tendence të qartë rënëse që ka filluar që në muajt e parë të vitit, një dukuri e rrallë.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e parë të vitit, deficiti i llogarisë korrente ka rënë në 228 milionë euro, një ulje prej 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në të njëjtën kohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përtej informacionit që ofrojnë statistikat zyrtare, në publik mbetet i fortë perceptimi se kursi ndikohet ndjeshëm edhe nga prurjet valutore që burojnë nga aktivitete informale. Rastet e publikuara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmojnë perceptimin e investimit të sasive të mëdha parash nga burime joformale në zhvillimin dhe blerjen e pasurive të paluajtshme.

Nga ana tjetër, forcimi i Lekut besohet se mbështetet pjesërisht edhe nga politika fiskale e ndjekur nga qeveria shqiptare, e cila ka shënuar suficite të mëdha fiskale në pjesën më të madhe të vitit. Kjo praktikë ul ofertën e monedhës vendase në treg. Për 6-mujorin e parë të vitit, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 52.8 miliardë lekëve, duke u rritur me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë po ndërhyn vazhdimisht në tregun valutor për të blerë valutë, por këto ndërhyrje po arrijnë vetëm të kontrollojnë pjesërisht rënien e Euros, pa mundur ta frenojnë plotësisht atë. Burime nga tregu bëjnë të ditur se Banka Qendrore ka ndërhyrë dy herë këtë javë për të blerë Euro.

Që prej vitit 2024, Banka e Shqipërisë po përpiqet të zbusë ritmin e forcimit të lekut, duke kryer blerje të mëdha të valutës në tregun e brendshëm. Nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë të 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu gati 2.2 miliardë euro. Vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, blerjet arritën vlerën e 140 milionë eurove, duke qenë një rekord për këtë periudhë të vitit.

Scroll to Top