The Atlantic: Elon Musk pengon Ukrainën të përdorë Starlink për sulme të thella në Rusi
Elon Musk ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për të përdorur shërbimin e tij të internetit satelitor Starlink për të kryer sulme me dronë thellë brenda territorit rus. Këtë lajmërim e ka bërë të ditur të premten “The Atlantic”, duke cituar dy persona të afërt me ish-ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Mikhail Fedorov.
Sipas botimit, Fedorov, i cili njihet për promovimin e teknologjisë në luftën me dronë dhe u shkarkua nga pozicioni i tij muajin e kaluar, është përpjekur t’i bëjë thirrje Musk përmes kanaleve jozyrtare. Megjithatë, miliarderi deri më tani ka refuzuar të ndryshojë qëndrim.
“Deri më tani, nuk ka pasur asnjë vendim pozitiv,” ka thënë një nga aleatët e Fedorov. “Elon vazhdon të insistojë se është koha për të arritur një marrëveshje,” shtoi ai.
“The Atlantic” raportoi më parë se gjatë vizitës së tij në SHBA muajin e kaluar, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Presidentit Donald Trump të ndikojë tek Musk, i cili është aleat i tij i ngushtë, për këtë çështje, por Trump ka mbetur në heshtje.
Musk filloi të dhuronte dhjetëra mijëra terminale Starlink për Ukrainën menjëherë pas fillimit të konfliktit me Rusinë në shkurt 2022. Megjithatë, ai shpejt u përplas me zyrtarët ukrainas, duke i nxitur ata të përqendroheshin në arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Moskës dhe Kievit, dhe duke paralajmëruar vazhdimisht se konflikti mund të çojë në “Luftën e Tretë Botërore”.
Në vitin 2023, sipërmarrësi konfirmoi raportimet se kishte refuzuar kërkesën e Ukrainës për të përdorur Starlink për sulme kundër Flotës së Detit të Zi dhe bazave detare të Rusisë në Krime. “Nëse do të kisha rënë dakord me kërkesën e tyre, atëherë SpaceX do të ishte bërë bashkëpunëtor i hapur në një akt të madh lufte dhe përshkallëzimi të konfliktit,” tha ai atë kohë.
