Vëllezërit Prifti kundër kufizimit të muzikës, mesazh për Ramën: Po e shpopulloni vendin
Artisti i njohur Endri Prifti dhe vëllai i tij, Stefi Prifti, i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama me një thirrje lidhur me vendimin për kufizimin e nivelit të volumit të muzikës në lokalet dhe ambientet turistike.
Sipas vendimit të ri për menaxhimin e zhurmave, muzika në lokale do të jetë subjekt i monitorimit me matje decibelësh, ndërsa niveli i lejuar është përcaktuar në 45 decibel. Artistët pretendojnë se ky kufizim e bën praktikisht të pamundur zhvillimin e performancave live.
Këngëtari Endri Prifti ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kundërshtuar politikat e reja për muzikën në ambiente publike. Ai u shpreh:
“O Rama, ku e ke parë këtë? Ia nxive jetën këtij populli, ia bëre skëterrë. Kaq shumë do ta shpopullosh këtë vend? Po dëmton turizmin!”
Edhe vëllai i tij, këngëtari Stefi Prifti, ka kundërshtuar vendimin. Ai tha se artistët kishin shpresuar për një zgjatje të orarit të muzikës gjatë sezonit veror, në përputhje me praktikat e vendeve fqinje.
“Ekzistonte një fije shprese se mund të shtyhej pak orari i mbrëmjeve muzikore, sidomos në sezonin e verës. Por thjesht ka qenë iluzion”, shkroi ai.
