Netanyahu refuzon planin e Trump për armëpushim në Gaza

Netanyahu sfidon Trumpin për Gazën: Izraeli nuk e pranon planin 15-pikësh

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar publikisht planin 15-pikësh të Presidentit amerikan Donald Trump për armëpushimin në Gaza. Ai ka këmbëngulur se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet nga enklava përpara çarmatimit të plotë të Hamasit.

“Dua të jem i saktë: Izraeli nuk e pranon dokumentin 15-pikësh”, deklaroi Netanyahu gjatë mbledhjes së kabinetit izraelit të dielën, duke e përsëritur më pas për të shmangur çdo paqartësi.

Qëndrimi i tij rrezikon të krijojë një përplasje të drejtpërdrejtë me Donald Trump, i cili prej ditësh po përpiqet të promovojë planin e tij për përfundimin e luftës në Gaza. Sipas planit, çarmatimi i Hamasit do të zhvillohej paralelisht me tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Gaza. Por Netanyahu e ka kundërshtuar këtë mekanizëm.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nuk do të bëjnë asnjë tërheqje derisa Hamasi të çarmatoset”, tha ai, duke theksuar se bëhet fjalë për eliminimin e të gjitha armëve, të rënda dhe të lehta.

I dërguari i Këshillit të Paqes, Nickolay Mladenov, tha ndërkohë se një proces gradual mbetet i mundur, por vetëm nëse çarmatimi i Hamasit verifikohet në terren. “Askush nuk është i detyruar të bëjë asgjë, aq më pak Izraeli, përpara se të ketë hapa të verifikuar në terren”, deklaroi Mladenov.

Hamasi, nga ana tjetër, ka deklaruar se mbetet i përkushtuar ndaj planit dhe ka kërkuar që Këshilli i Paqes të ushtrojë presion mbi Netanyahun për zbatimin e tij.

Por pas deklaratave të kryeministrit izraelit, pyetja kryesore është pse Netanyahu zgjodhi të sfidojë publikisht Trumpin. Një pjesë e përgjigjes lidhet me politikën e brendshme izraelite. Me zgjedhjet që afrohen, Netanyahu përballet me presion nga partitë e djathta dhe të ekstremit të djathtë në koalicionin e tij, të cilat kundërshtojnë çdo tërheqje izraelite nga Gaza përpara eliminimit të Hamasit. Për Netanyahun, mbështetja e këtyre forcave mund të jetë vendimtare për mbijetesën e tij politike pas zgjedhjeve.

Ndërkohë, një zyrtar amerikan ka lënë të kuptohet se pavarësisht përplasjes publike, mund të ketë ende bashkëpunim mes palëve në prapaskenë.

Situata e re rrezikon të hapë një çarje të fortë Netanyahu-Trump, pikërisht në një moment kur administrata amerikane po përpiqet të shtyjë përpara planin për armëpushimin dhe stabilizimin e Gazës.

Scroll to Top