Britania në alarm shëndetësor për shkak të të nxehtit
Alarmet shëndetësore janë në fuqi në pjesën më të madhe të Anglisë, pasi temperaturat kanë filluar të rriten sërish. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) ka njoftuar se pritet të ketë ndikime të rëndësishme në shërbimet shëndetësore dhe sociale, duke përfshirë mundësinë e rritjes së numrit të vdekjeve.
Alarmet do të jenë në fuqi deri të premten në mbrëmje. Temperaturat pritet të arrijnë mesataren e 30 gradëve Celsius në shumicën e zonave të Anglisë dhe Uellsit, gjatë kulmit të valës së të nxehtit.
Ditën e sotme, kushtet më të nxehta priten rreth Uellsit lindor, Midlands dhe pjesëve qendrore të Anglisë jugore, ku temperaturat parashikohen të jenë nga 27 deri në 30 gradë Celsius.
Paralajmërimet vijnë në një kohë kur kushtet e thatësirës janë përhapur në të gjithë Anglinë. Grupi Kombëtar i Thatësirës bëri të ditur të hënën se 71.3 për qind e Anglisë është shpallur zyrtarisht në thatësirë. Zonat më të fundit të prekura përfshijnë East Midlands, Lincolnshire dhe Northamptonshire, Kent dhe Sussex-i Lindor, Solent dhe Downs-i Jugor.