Fshati i zhdukur në Angli rishfaqet nga thatësira

Thatësira zbulon rrënojat në Angli, fshati i zhdukur nën ujë rishfaqet pas gati 50 vitesh

Një fshat i tërë, i përmbytur gati gjysmë shekulli më parë, është rishfaqur në Angli pasi një thatësirë e zgjatur ka ulur ndjeshëm nivelin e ujit në rezervuarin Rutland Water. Rrënojat e fshatit Nether Hambleton, të vendosura në Midlands Lindore, janë bërë sërish të dukshme.

Mure guri, gjurmë ndërtesash dhe konturet e rrugëve të vjetra dëshmojnë për ekzistencën e fshatit, i cili u zhduk nën ujë gjatë viteve 1970. Për krijimin e Rutland Water, në atë kohë liqeni artificial më i madh në Evropë, u përmbytën më shumë se 3 mijë akra tokë. Banorët e atëhershëm u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të zhvendoseshin në zonat përreth.

Mes ndërtesave të fundosura përfshiheshin edhe shtëpi të vjetra të shekullit XVIII. Toka bujqësore përreth përdorej kryesisht për kultivimin e elbit dhe grurit. Elbi eksportohej në Gjermani për prodhimin e birrës, ndërsa gruri përdorej për prodhimin e bukës.

Për dekada, mbetjet e Nether Hambleton qëndruan në fund të një lugine, midis gadishullit të sotëm Hambleton dhe vendbanimit të vogël të Lyndon. Tashmë, thatësira e pazakontë ka ulur nivelin e ujit dhe ka nxjerrë në sipërfaqe pjesë të rrënojave. Kjo u ka dhënë vizitorëve një mundësi të rrallë për të parë nga afër gjurmët e një fshati që qëndroi i fshehur nën ujë për pothuajse gjysmë shekulli.

Pamjet e rrënojave kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve. Mbetjet e ndërtesave dhe rrugëve të vjetra ofrojnë një dëshmi të rrallë të jetës së dikurshme në këtë zonë të Anglisë.

Scroll to Top