Tragjedi në Izmir: Gjyshja dhe nipi humbin jetën në zjarr

Tragjedi e rëndë në Izmir: Gjyshja humb jetën duke u përpjekur të shpëtojë nipin nga flakët

Një ngjarje familjare e rëndë ka tronditur qytetin e Izmirit, ku një 56-vjeçare dhe nipi i saj 4-vjeçar humbën jetën në një zjarr që përfshiu banesën e tyre. Ngjarja ndodhi të hënën pasdite në zonën Çiğli.

Sipas të dhënave paraprake, Rezan Korkmaz arriti fillimisht të nxirrte nga banesa nipin tjetër, 2-vjeçarin Mert. Megjithatë, ajo u kthye më pas në shtëpinë që po digjej për të shpëtuar 4-vjeçarin Yigit.

Fatkeqësisht, të dy u gjetën të pajetë nga zjarrfikësit. Trupi i gjyshes u gjet mbi atë të fëmijës, duke lënë të kuptohet se ajo u përpoq ta mbronte me trupin e saj nga flakët.

Gjyshi 59-vjeçar, Bayram Korkmaz, arriti të shpëtonte duke u hedhur nga dritarja. Ai pësoi djegie në duar dhe shpinë dhe pas trajtimit në spital u kthye në banesë.

4-vjeçari Yigit do të festonte ditëlindjen më 23 gusht.

Trupat e gjyshes dhe nipit iu dorëzuan familjarëve pas përfundimit të autopsive.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.

Scroll to Top