Panik në brigjet e Fethiyes: Anije turistike me 115 persona në bord merr flakë, pasagjerët hidhen në det për t’i shpëtuar zjarrit.
Panik shpërtheu në brigjet e Fethiyes, Turqi, ku një anije turistike me 115 persona në bord u përfshi nga flakët mëngjesin e së enjtes, 13 gusht. Dyshohet se zjarri ka shpërthyer në kuzhinën e anijes dhe është përhapur me shpejtësi, duke detyruar pasagjerët dhe ekuipazhin të hidhen në det me jelekë shpëtimi.
Ekipet e rojes bregdetare, autoritetet portuale dhe anije të tjera në afërsi ndërhynë menjëherë për të evakuuar personat në bord.
Sipas mediave turke, të gjithë 115 personat u shpëtuan. Megjithatë, dy persona u dërguan në spital për shkak të thithjes së tymit, ndërsa fëmijët iu nënshtruan kontrolleve mjekësore si masë parandaluese.
Zjarri u vu nën kontroll nga ekipet e emergjencës, por anija pësoi dëme të konsiderueshme materiale. Aktualisht po zhvillohet një operacion për tërheqjen e saj drejt bregut.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.
