Shpërthim në portin më të madh të Europës: Një i vdekur dhe disa të plagosur në Roterdam
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur zonën industriale të portit të Roterdamit, Holandë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve. Ngjarja ka vënë në alarm shërbimet e emergjencës, ndërsa autoritetet policore kanë ngritur perimetrin e sigurisë dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve.
Sipas deklaratës së zëdhënësit të policisë së Roterdamit, shpërthimi ka ndodhur në rrugën “Moezelweg” rreth orës 11:30 të mëngjesit. Menjëherë pas sinjalizimit, vendngjarja është rrethuar nga forcat e rendit për të mundësuar ndërhyrjen e shërbimeve mjekësore dhe inspektimin e zonës.
Gjithashtu, në të njëjtën zonë, kompania Gunvor Energy, e cila menaxhon rezervuarët për ruajtjen e derivateve të naftës, raportoi një incident të veçantë të ndodhur gjatë punimeve të mirëmbajtjes, ku mbetën të plagosur disa persona.
Mediat vendase dhe agjencia e lajmeve Reuters bëjnë me dije se në zonën e portit të Roterdamit janë shënuar edhe disa ndërprerje të energjisë elektrike. Shërbimet e sigurisë dhe policia po hetojnë nëse ka ndonjë lidhje direkte mes shkëputjeve të energjisë dhe shpërthimit tragjik.
