Rritja e eksporteve: Propaganda vs. realiteti ekonomik

Jorida Tabaku: Rritja e eksporteve nuk tregon forcim të ekonomisë, fasoneria në rënie

Nga Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike

Një qeveri në krizë i kërkon mbështetje disa shifrave për të ruajtur narrativën e saj. Kështu po veprojnë socialistët me të dhënat e eksporteve. Ata po përdorin rritjen artificiale prej 10,6% të eksporteve në korrik për të bindur shqiptarët se ekonomia po përparon dhe se ata jetojnë më mirë.

Megjithatë, propaganda përfundon aty ku fillon analiza e plotë e shifrave. Në këtë rritje të deklaruar, materialet e ndërtimit dhe metalet kanë dhënë një kontribut prej 8,9 pikë përqindjeje, ndërsa mineralet, karburantet dhe energjia kanë dhënë 5,3 pikë. Vetëm këto dy grupe së bashku kanë kontribuar me 14,2 pikë përqindjeje, duke tejkaluar rezultatin përfundimtar prej 10,6%. Në të njëjtën kohë, sektori i fasonerisë ka ulur rezultatin me 4,3 pikë përqindjeje, ndërsa ushqimet kanë kontribuar vetëm me 0,1 pikë. Ky tregon se ekonomia prodhuese nuk është forcuar. Është rritur përkohësisht vlera e disa kategorive të eksporteve, kryesisht të lidhura me ndërtimin.

Edhe pamja afatgjatë e shifrave hedh poshtë propagandën. Nga viti 2014 deri në vitin 2025, vlera e eksporteve në lekë është rritur me rreth 36%, ndërsa sasia fizike e mallrave të eksportuara ka rënë me rreth 14%. Në letër, eksportet e Shqipërisë duken më të vlefshme; në realitet, vendi eksporton më pak mallra.

Zhdërvleftësimi i euros krijon gjithashtu një mashtrim optik. Kur eksportet konvertohen në euro, vlera e tyre duket shumë më e madhe. Por për eksportuesin që faturon në euro, realiteti është i kundërt: për të njëjtën kontratë, ai merr më pak lekë për pagat, energjinë, taksat dhe kostot e prodhimit.

Goditjen më të rëndë po e merr fasoneria, e cila përbën rreth 30% të eksporteve të mallrave dhe punëson dhjetëra mijëra qytetarë. Pas euros së lirë qëndrojnë fabrika që mbyllen, kontrata që humbasin dhe vende pune që zhduken.

Ndërkohë, burimi dhe qëndrueshmëria e flukseve të mëdha valutore, të cilat kanë mbiçmuar artificialisht lekun, vazhdojnë të mbeten pa një shpjegim transparent.

Edhe rritja ekonomike e raportuar nga INSTAT tregon të njëjtin problem. Në vitin 2025, industria ra me 3,72% dhe bujqësia me 2,5%. Administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe taksat neto kanë dhënë së bashku rreth 77% të rritjes ekonomike prej 3,66%. Kjo do të thotë se sot ekonominë po e mbajnë në këmbë shpenzimet e shtetit dhe jo biznesi.

Kjo është e vërteta pas perdes së propagandës: sektorët që duhet të prodhojnë, të eksportojnë dhe të krijojnë vende pune po përjetojnë rënie. Një shifër mujore mund të shërbejë për qëllime propagandistike. Por nuk mund të zëvendësojë fabrikat që mbyllen, vendet e punës që humbasin dhe familjet që çdo ditë e kanë më të vështirë të përballojnë jetesën.

Scroll to Top