Inflacioni i Harmonizuar në Korrik: 3,4%

Inflacioni i harmonizuar arrin 3,4% në korrik, ushqimet dhe turizmi me ndikimin kryesor

Inflacioni i matur sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) arriti në 3,4% në korrik 2026. Ky nivel qëndron 0,4 pikë përqindje mbi mesataren prej 3% të Bashkimit Europian.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja vjetore e çmimeve vazhdon të ushqehet kryesisht nga produktet ushqimore. Megjithatë, një ndikim pothuajse po aq të fortë po japin edhe shërbimet e lidhura me argëtimin, turizmin dhe akomodimin.

Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha kontributin më të madh në inflacionin vjetor, duke sjellë 1,09 pikë përqindje. Kjo ndodhi pasi çmimet në këtë grup u rritën me 3,2% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Për shkak se ky grup zë rreth 34,5% të peshës së përgjithshme të IHÇK, edhe lëvizjet relativisht të moderuara të çmimeve të ushqimeve kanë një ndikim të konsiderueshëm në inflacion.

Presioni i dytë më i fortë erdhi nga grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, ku çmimet u rritën me 8,5% në një vit, duke shënuar normën më të lartë ndër të gjitha kategoritë. Ky grup kontribuoi me 0,55 pikë përqindje në inflacion.

Në sektorin e turizmit, çmimet në restorante dhe strukturat akomoduese u rritën me 3,6%, duke shtuar 0,53 pikë përqindje në normën vjetore. Së bashku, argëtimi dhe shërbimet e akomodimit dhanë një kontribut prej 1,08 pikësh përqindjeje, thuajse të barabartë me ndikimin e të gjithë grupit të ushqimeve.

Ndikimi i shërbimeve turistike është më i dukshëm në Indeksin e Harmonizuar, pasi ky tregues përfshin edhe shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri. Restorantet dhe akomodimi zënë rreth 14,5% të peshës së këtij indeksi, krahasuar me vetëm 5,7% në Indeksin kombëtar të Çmimeve të Konsumit.

Transporti ishte një tjetër burim presioni. Çmimet e tij u rritën me 4,6% në krahasim me korrikun 2025, duke kontribuar me 0,39 pikë përqindje në inflacion. Rritje relativisht të larta u regjistruan edhe për pijet alkoolike dhe duhanin (me 4,5%), kujdesin personal dhe shërbimet e ndryshme (me 3,5%), si dhe arsimin (me 3,3%).

Në anën tjetër, çmimet e informacionit dhe komunikimit ranë me 0,6% në bazë vjetore, ndërsa veshjet dhe këpucët u liruan me 0,5%. Megjithatë, pesha dhe ndikimi i këtyre dy kategorive ishin shumë të vogla për të kompensuar rritjen e ushqimeve dhe shërbimeve.

Në krahasim me qershorin, çmimet e konsumit u ulën me 0,1%. Kjo rënie mujore u ndikua kryesisht nga ushqimet (-0,9%), informacioni dhe komunikimi (-1,3%), veshjet dhe këpucët (-1,2%) dhe shërbimet financiare (-1%). Ulja u kufizua nga shtrenjtimi mujor i transportit (+2,5%) dhe i grupit që përfshin qiratë, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe karburantet e tjera (+1%).

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht uljes së lehtë mujore, struktura e inflacionit mbetet e përqendruar te shpenzimet bazë dhe shërbimet sezonale. Ushqimet, argëtimi, restorantet, akomodimi dhe transporti siguruan së bashku rreth 2,56 pikë përqindje nga norma e përgjithshme prej 3,4%.

Scroll to Top