Investim 2.3M€ kundër përmbytjeve Devoll e Osum

Mbrojtja nga përmbytjet: tender 2.3 milionë euro për Devollin dhe Osumin

Rreth 2.3 milionë euro do të vihen në dispozicion për ndërhyrje kundër përmbytjeve dhe gërryerjeve në lumenjtë Devoll dhe Osum. Procedura e prokurimit përfshin tre zona: Cërrik, Devoll dhe Berat.

Fondi limit i tenderit arrin në 228.9 milionë lekë dhe është ndarë në tre lote. Pjesa më e madhe e shumës është parashikuar për mbrojtjen lumore në lumin Osum, në lagjen Bejtollarët të Beratit, dhe për ndërhyrjen kundër gërryerjeve në Bitinckë të Devollit.

  • Loti i parë: “Mbrojtje nga përmbytjet e lumit Devoll (loti 2) – Bashkia Cërrik” ka fond limit 31.9 milionë lekë. Dokumentacioni teknik parashikon vazhdimin e mbrojtjes së brigjeve para dhe pas veprave ekzistuese, duke përdorur mbrojtje gjatësore me gabiona dhe blloqe betoni, si dhe riparimin e segmenteve të dëmtuara të strukturave aktuale. Në një segment parashikohet ndërtimi i 70 metrave mbrojtje me gabiona me lartësi 4 metra, ndërsa një tjetër segment prej 100 metrash do të ketë gjithashtu mbrojtje gjatësore me gabiona. Dokumenti përfshin gjithashtu riparime të mbrojtjeve ekzistuese dhe ndërhyrje me gurë në segmente të tjera përgjatë lumit.
  • Loti i dytë: “Mbrojtje nga gërryerjet në lumin Devoll, fshati Bitinckë – Devoll” ka fond limit 94.7 milionë lekë. Projekti parashikon mbrojtjen e tokave në krahun perëndimor të rrjedhës së Devollit nga gërryerja. Segmenti është përshkruar si i ekspozuar ndaj gërryerjeve intensive në një gjatësi rreth 800 metra. Parashikohet ndërtimi i një mbrojtjeje gjatësore përgjatë shpatit të dëmtuar, duke përdorur themele me gurë masivë dhe gabiona të mbushur me gurë, të kombinuar me rrjetë teli të zinkuar. Planimetria e projektit tregon një mbrojtje gjatësore prej rreth 787 metrash pranë bregut të Devollit.
  • Loti i tretë: “Mbrojtje lumore e krahut të majtë lumi Osum, lagjja Bejtollarët – Bashkia Berat” ka fond limit 102.3 milionë lekë, duke qenë ndërhyrja me vlerën më të lartë në këtë procedurë. Objektivi kryesor i projektit është mbrojtja e lagjes Bejdollar nga përmbytjet dhe erozioni i shkaktuar nga lumi Osum, përmes realizimit të veprave mbrojtëse dhe stabilizimit të brigjeve. Raporti paraprak i vlerësimit të ndikimit në mjedis thekson se gjatë periudhave me reshje intensive dhe prurje të larta, segmentet pranë brigjeve paraqesin rrezik nga erozioni dhe përmbytjet, veçanërisht në zonat e banuara pranë lumit. Punimet e parashikuara përfshijnë gërmimin dhe përgatitjen e terrenit, sistemimin dhe profilizimin e brigjeve dhe shtratit të lumit, si dhe ndërtimin e strukturave mbrojtëse me gabiona, penela, mure mbajtëse dhe elementë të tjerë hidroteknikë. Projekti synon gjithashtu stabilizimin e skarpateve dhe disiplinimin e rrjedhës së ujit për të parandaluar dëmtimet nga prurjet dhe gërryerjet.
Scroll to Top