Sulm Izraelit në Siri, Damaskut kundër: I pajustifikueshëm

Sulmi izraelit ndaj bazës ajrore Abu al-Duhur/ Ministri i Jashtëm sirian: I pajustifikueshëm

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shaibani, ka deklaruar se sulmi izraelit ndaj bazës ajrore Abu al-Duhur nuk kishte asnjë bazë legjitime. Ai mohoi pretendimet e Izraelit se objekti po përgatitej për të pritur një prani të përhershme ushtarake turke.

Në një intervistë për Axios, al-Shaibani theksoi se Siria nuk kishte plan për të krijuar një bazë turke në territorin e saj dhe se nuk bëhej fjalë për vendosje të përhershme të trupave turke. Sipas tij, baza ishte kryesisht e zbrazët dhe aktiviteti në të lidhej me rehabilitimin e aeroportit dhe objekteve të dëmtuara gjatë luftës, me qëllim që ato të përdoreshin nga Forcat Ajrore Siriane.

Al-Shaibani pranoi se disa oficerë turq kishin vizituar bazën disa ditë para sulmit, por e cilësoi këtë si pjesë të bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e trajnimit dhe shkëmbimit të ekspertizës.

“Siria është një shtet sovran dhe ka të drejtë të krijojë marrëdhënie bashkëpunimi dhe aleance me çdo vend, përfshirë Turqinë”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se Damasku i ka përcjellë Uashingtonit shqetësimin se nuk i beson qëllimeve të Izraelit ndaj Sirisë. Sipas tij, politika aktuale izraelite nuk po kontribuon në stabilitetin e Sirisë apo të rajonit.

Ministri i Jashtëm sirian theksoi se Damasku mbetet i hapur për një marrëveshje sigurie me Izraelin, por vuri në dukje se procesi i de-përshkallëzimit nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e njërës palë.

Scroll to Top