“`html
Poliçani kundërshton bashkimin me Berat-in, Cërriku pret dëgjesa me komunitetin: Rrezikohet shpopullimi
Këshilli Bashkiak i Poliçanit ka kundërshtuar projektligjin për ndarjen administrative-territoriale, duke votuar kundër bashkimit të bashkisë me atë të Beratit. Ndërkohë, në Cërrik nuk është marrë ende një vendim përfundimtar për bashkimin me Elbasanin, pasi kryebashkiaku Florenc Doka ka kërkuar fillimisht zhvillimin e dëgjesave publike me komunitetin.
Gjatë një mbledhjeje emergjente të Këshillit Bashkiak të Poliçanit, të 15 anëtarët votuan unanimisht kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë me Berat-in. Në mbledhje mori pjesë edhe kryebashkiaku Adriatik Zotkaj, i cili e kundërshtoi hapur reformën. Ai deklaroi se Kuvendi do të bënte një gabim nëse do të votonte shkrirjen e bashkisë pa marrë pëlqimin e komunitetit.
“Do të jetë një turp për Parlamentin nëse miraton shkrirjen e kësaj bashkie”, theksoi Zotkaj. Këshilltarët bashkiakë konfirmuan gjithashtu se do të japin dorëheqjen në rast se Parlamenti miraton shkrirjen e Bashkisë Poliçan.
Situata mbetet e hapur në Cërrik, ku Këshilli Bashkiak nuk ka marrë ende një vendim për qëndrimin ndaj propozimit për bashkimin me Elbasanin. Kryebashkiaku Florenc Doka u shpreh se nuk do të paraqesë një qëndrim personal para përfundimit të procesit të konsultimit me qytetarët. Ai njoftoi se do të organizohen takime të hapura në të pesta njësitë administrative, ku do të ftohen të marrin pjesë grupe të ndryshme interesi dhe përfaqësues të komunitetit.
“Brenda 60 ditëve duhet të shprehim mendimin. Do të përcaktojmë takimet në të pesta njësitë administrative. Qëllimi është të zhvillojmë takime të hapura me komunitetin dhe të marrim mendimin e njerëzve”, tha Doka.
Megjithatë, disa këshilltarë e kanë konsideruar procesin e dëgjesave të vonuar dhe kanë kërkuar që qëndrimi zyrtar i bashkisë të bëhet i qartë sa më parë. Gjatë mbledhjes morën pjesë edhe deputetët e opozitës, Blendi Himçi dhe Klodiana Çapja. Himçi i kërkoi kryebashkiakut Doka të shprehë qëndrimin e tij, duke iu referuar edhe rekomandimeve paraprake të Komisionit të Reformës Territoriale.
“Shkrirja e bashkisë do të thotë që e ardhmja e shumë qytetarëve të vihet në pikëpyetje dhe të ketë shpopullim nga këto bashki. Ju duhet të shpreheni. E keni për detyrim të shpreheni”, deklaroi Himçi.
Sipas draftit paraprak të reformës territoriale, Cërriku dhe Belshi parashikohet t’i bashkohen Bashkisë së Elbasanit. Ky propozim është kundërshtuar nga një pjesë e komunitetit, e cila ka shprehur pakënaqësinë edhe përmes protestave.
Në total, reforma e propozuar parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe uljen e numrit të njësive vendore nga 61 në 46. Procesi pritet të vijojë me konsultime dhe vendimmarrje nga këshillat bashkiakë, përpara se propozimi të kalojë për shqyrtim dhe votim në Kuvend.
“`
