Autobusi me nxënës gjermanë përplaset me furgonin në Holandë, rreth 20 të plagosur
Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Holandën lindore, ku një autobus turistik austriak, që transportonte nxënës të një shkolle të mesme nga Gjermania, është përplasur me një furgon shpërndarjeje.
Përplasja ndodhi rreth orës 04:00 në autostradën A28, pranë qytetit Weeze, rreth 100 kilometra në lindje të Amsterdamit.
Sipas policisë holandeze, rreth 20 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa tetë prej tyre janë transportuar në spital për trajtim mjekësor. Policia e provincës Gelderland bëri të ditur se disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët kanë pësuar dëmtime më të lehta.
Mes të plagosurve është edhe drejtuesi i furgonit të shpërndarjes. Në autobus ndodheshin më shumë se 50 persona, ndërsa për shkak të përplasjes së fortë shumë prej pasagjerëve kanë pësuar dëmtime nga xhamat e thyer.
Pamjet e publikuara nga policia tregojnë ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit duke nxjerrë nxënësit nga autobusi përmes çatisë së mjetit.
Pas aksidentit, autostrada A28 u mbyll në të dyja drejtimet, ndërsa ekipet e emergjencës vijuan punën në vendngjarje. Autoritetet holandeze kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
