Rezerva valutore Shqipëri: Rreziku i qasjes së kujdesshme

Rezerva valutore arrin pranë kufirit të 8 miliardë eurove

Rezerva valutore ka arritur një rekord të ri historik në mesin e këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e mjeteve të rezervës arriti në rreth 7.9 miliardë euro, duke u rritur me 7.9% që nga fillimi i vitit 2026 dhe me 17.2% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e vazhdueshme e vlerës së rezervës valutore mbështetet nga blerjet e konsiderueshme të valutës nga Banka e Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor. Gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, Banka e Shqipërisë bleu rreth 140 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Kjo përfaqëson vlerën më të lartë historike të blerjeve nga Banka e Shqipërisë për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, blerjet e valutës janë rritur me 320%.

Pavarsësisht blerjeve të mëdha nga Banka e Shqipërisë, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut vijon të bjerë dhe ka prekur një rekord të ri historik pranë nivelit të 92.5 lekëve, duke shënuar një rënie vjetore prej afërsisht 5%.

Për këtë vit, Banka e Shqipërisë synon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm, duke synuar të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet prej 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.

Në periudhën 2024-2025, Banka Qendrore bleu më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm valutor, me qëllim frenimin e forcimit të vazhdueshëm të Lekut në kursin e këmbimit.

Ndryshimi i vlerës së aktiveve në valutë të huaj nuk është i lidhur vetëm me volumin e investimeve të reja, por edhe me lëvizjet e çmimit të instrumenteve financiare dhe metaleve të çmuara në tregjet ndërkombëtare. Në mesin e këtij viti, titujt e borxhit përbënin 80% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 12%. Pjesa e mbetur e rezervës është investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Vitin e kaluar, rritja e çmimit të arit dha një ndikim pozitiv në vlerën e rezervës valutore. Megjithatë, në gjysmën e parë të këtij viti, çmimet e arit kanë shënuar rënie, duke sjellë uljen e vlerës së rezervave të arit në 412 milionë euro, 4.2% më pak krahasuar me fundin e vitit 2025. Rënia e vlerës së arit është kompensuar dhe tejkaluar nga blerjet e reja të valutës dhe nga rritja e vlerës së titujve financiarë ku është investuar rezerva valutore.

Rezerva valutore është një instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend. Megjithatë, Misioni i FMN për Shqipërinë, në deklaratën e fundit të vitit 2025, i rekomandoi Bankës së Shqipërisë një qasje më të kujdesshme në rritjen e mëtejshme të rezervës valutore. Sipas FMN-së, përfitimet nga akumulimi i rezervave duhet të peshohen ndaj kostove oportune në rritje, rreziqeve të normave të interesit dhe humbjeve të mundshme nga rivlerësimi valutor.

Rritja e rezervës valutore ka sjellë kosto të konsiderueshme në bilancin e Bankës së Shqipërisë, si rezultat i forcimit të kursit të këmbimit të monedhës vendase. Për vitin 2025, humbjet neto nga ndryshimet e kurseve të këmbimit rezultuan 24.1 miliardë lekë, duke u rritur me 79% krahasuar me një vit më parë.

Scroll to Top