Të shtëna masive në Çikago: 1 i vdekur, 14 të plagosur
Një person ka humbur jetën dhe të paktën 14 të tjerë janë plagosur si pasojë e një të shtënash masive me armë zjarri në zonën South Side të Çikagos. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Uashington Park, dhe policia ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin e autorëve.
Sipas informacioneve nga policia e Çikagos, efektivët po përpiqeshin të shpërndanin një turmë të madhe njerëzish në bllokun 5400 të South Cottage Grove Avenue, pak pas orës 23:30, kur papritur u dëgjuan të shtënat. Autoritetet konfirmuan se gjithsej 15 persona u qëlluan me armë gjatë këtij incidenti.
Njëri prej viktimave, një 35-vjeçar, u godit disa herë nga plumbat dhe ndërroi jetë në vendngjarje. Vdekja e tij u konfirmua nga Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Cook County.
Sipas dëshmive të mbledhura nga mediat amerikane, ngjarja mund të ketë ndodhur gjatë një ribashkimi të ish-banorëve të Robert Taylor Homes, një kompleks i madh banesash publike në South Side, i cili u shembur në fillim të viteve 2000.
Mes të plagosurve ndodhet edhe një 47-vjeçare, e cila është në gjendje të rëndë. Gjashtë persona të tjerë u transportuan me urgjencë në spitalet e zonës dhe, sipas policisë, ndodhen në gjendje të mirë. Autoritetet po përpiqen të marrin më shumë informacion edhe për tre të plagosur të tjerë: një grua 37-vjeçare, një grua 23-vjeçare dhe një burrë 35-vjeçar. Të tre u dërguan në spitale, por gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitet, dhe përfaqësuesit lokalë kanë reaguar ndaj dhunës me armë, që vijon të jetë një problem serioz në qytet. “Jam e lodhur. Dhe nuk po flas për një lodhje që mund ta kaloj duke bërë një gjumë të mirë,” deklaroi këshilltarja e qytetit Jeanette Taylor.
Policia bëri të ditur se asnjë efektiv nuk u godit nga të shtënat. Deri tani, nuk ka persona të arrestuar në lidhje me ngjarjen. Detektivët e Area One kanë marrë përsipër hetimin dhe po punojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të sulmit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
Kryebashkiaku i Çikagos, Brandon Johnson, e dënoi ngjarjen, duke theksuar pasojat e rënda që të shtënat me armë kanë mbi familjet dhe komunitetet. “Përmes të shtënave të mbrëmshme na kujtohet ndikimi shkatërrues i dhunës me armë. Brenda pak çastesh, një jetë mund të humbasë, familjet mund të ndryshojnë përgjithmonë dhe komunitetet mund të mbeten në zi,” tha Johnson në një deklaratë.
