Sekretari i Ushtrisë Amerikane jep dorëheqjen pas tensioneve

Sekretari i Ushtrisë amerikane jep dorëheqjen pas muajsh tensionesh me Hegseth

Sekretari i Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, ka paraqitur dorëheqjen nga detyra pas rreth 18 muajsh shërbim. Ai bëhet kështu figura më e fundit ushtarake e lartë që largohet nga administrata e presidentit Donald Trump.

Largimi i Driscoll u konfirmua nga CBS, e cila raportoi se dorëheqja vjen pas muajsh tensionesh dhe përplasjesh mes tij dhe Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Megjithatë, detajet e konfliktit mes dy zyrtarëve nuk janë bërë ende të ditura.

Shtëpia e Bardhë vlerësoi punën e Driscoll, duke e cilësuar atë si një drejtues “shumë efektiv” në avancimin e agjendës së Trump për forcimin e ushtrisë amerikane. Në një deklaratë për CBS, administrata theksoi se Driscoll kishte ofruar “udhëheqje të jashtëzakonshme” gjatë operacioneve ushtarake.

Driscoll, 41 vjeç, ishte sekretari më i ri në historinë e Ushtrisë amerikane. Gjatë mandatit të tij, ai u bë i njohur me nofkën e lidhur me presidentin Trump, “njeriu i dronëve”, për shkak të mbështetjes së tij të fortë ndaj teknologjive të reja të përdorura në fushëbetejë.

Dorëheqja e tij vjen në një periudhë ndryshimesh të rëndësishme në drejtimin e Pentagonit. Driscoll është një nga disa drejtues të lartë ushtarakë që janë larguar së fundmi nga detyra. Mes tyre përfshihen edhe sekretari i Marinës, John Phelan, i cili dha dorëheqjen papritur në prill, shefi i Shtabit të Ushtrisë, Randy George, gjenerali i Ushtrisë David Hodne dhe gjeneralmajori Uilliam Green.

Që prej marrjes së drejtimit të Pentagonit, Pete Hegseth ka shkarkuar më shumë se një duzinë oficerësh të lartë të ushtrisë amerikane, përfshirë drejtuesin e operacioneve të Marinës dhe zëvendësshefin e Shtabit të Forcave Ajrore.

Sipas CBS, një faktor që mund të ketë ndikuar në përplasjen mes Driscoll dhe Hegseth është marrëdhënia e afërt e sekretarit të Ushtrisë me Randy George. Driscoll dhe George raportohet se kanë qenë miq të mirë, ndërsa George ishte ndër zyrtarët të cilëve Hegseth u kishte kërkuar të jepnin dorëheqjen.

Sekretari i Ushtrisë është zyrtari më i lartë civil në drejtimin e Ushtrisë amerikane. Ai mbikëqyr forcat aktive të ushtrisë, si dhe Gardën Kombëtare dhe trupat rezervë.

Dan Driscoll kishte shërbyer më herët edhe vetë në Ushtrinë amerikane. Ai u bë oficer në vitin 2007, më vonë drejtoi një togë kalorësiake dhe u dërgua në Irak për disa muaj në vitin 2009. Gjatë drejtimit të Ushtrisë, Driscoll u shqua për interesin e tij ndaj teknologjive të avancuara ushtarake, veçanërisht dronëve dhe sistemeve të tjera të reja të luftimit, gjë që i dha edhe nofkën “njeriu i dronëve” të Trumpit.

Scroll to Top