“`html
“Arkitekti” i reformës territoriale, Arbjan Mazniku: Nevojiten vetëm 46 bashki, asnjë shërbim për qytetarët nuk cënohet
Publikuar më 01.09.2026 nga Shek
Pavarësisht kundërshtimeve të shprehura nga qytetarët e bashkive të vogla, mazhoranca nuk tërhiqet nga propozimi për hartën e re territoriale me 46 bashki. Drejtuesi i reformës nga radhët e Partisë Socialiste, Arbjan Mazniku, u shpreh për Vizion Plus se kundërshtimet ndaj kësaj nisme ishin të pritshme.
Sipas zotit Mazniku, shkrirja e bashkive të vogla nuk do të nënkuptojë heqjen e shërbimeve për qytetarët. Përkundrazi, ai argumenton se reforma synon forcimin dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve në territor. Mazniku theksoi se procesi i riorganizimit territorial duhet parë në funksion të një administrimi më efikas dhe të rritjes së kapaciteteve të njësive vendore.
Propozimi për hartën e re me 46 bashki ka ngjallur debate dhe kundërshti, veçanërisht në zonat ku parashikohet bashkimi i bashkive të vogla me njësi të tjera vendore.
“Ka disa palë të cilët fitojnë dhe ka disa palë të cilët fitojnë më pak ose ndihen të rrezikuar. Ne jemi nisur me një reformë nga këshillimi që kemi, për të siguruar që qytetarët të marrin shërbime më të mira, që investimet në terren të jenë më të mëdha dhe më efikase, që punët publike të administrohen më mirë”, tha Mazniku.
Qytetarët e bashkive të vogla, sipas tij, nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë drejt qyteteve të mëdha për të marrë shërbime nga institucionet vendore.
“Asnjë shërbim i cili sot u ofrohet në njësinë e tyre administrative apo në bashkinë e sotme nuk do t’u hiqet në qytetin që krijohet me ligjin e ri. Ligji i ri krijon bashki, krijon qytetet dhe njësitë administrative. Nuk i ndryshon asgjë qytetarit me reformën e re në raport me afërsinë e marrjes së shërbimit”, shtoi Mazniku.
Zoti Mazniku përmendi raste specifike ku bashkimi me qytete më të mëdha ka sjellë përmirësime infrastrukturore dhe jo vetëm.
“Në zona si Dardha e Korçës apo Gjinari i Elbasanit, pasi janë bërë pjesë e bashkisë, atje është përmirësuar infrastruktura, është përmirësuar turizmi, është përmirësuar marketingu i këtyre zonave, si zonë turistike”, tha ai.
Me fillimin e sesionit të ri parlamentar këtë muaj, kjo temë pritet të gjenerojë debate në punimet e Kuvendit, megjithatë socialistët i kanë të qarta prioritetet.
“Do të ketë debate dhe diskutime, në territor, në bashkitë respektive. E rëndësishme është që ne t’i shpjegojmë qytetarëve të të gjitha zonave se kemi përpara një propozim që sjell, nga njëra anë, fuqizimin e bashkive, dhe nga ana tjetër, mendësinë që bashkitë t’u shërbejnë në mënyrë më efikase qytetarëve”, sqaroi ai.
Më 31 korrik, Partia Socialiste depozitoi në parlament hartën e re territoriale, e cila propozon 15 bashki më pak. Ky propozim shkaktoi protesta në disa zona të vendit si Përrenjasi, Klosi, Cërriku dhe Poliçani.
“`
