Incident në ngushticën e Hormuzit: Dy tankerë godasin mina, dy marinarë humbin jetën
Tensionet në Ngushticën e Hormuzit janë përshkallëzuar pas një incidenti të rëndë detar, ku dy anije cisternë janë përfshirë nga flakët. Sipas Gardës Revolucionare të Iranit, anijet kanë goditur mina gjatë lundrimit.
Garda Revolucionare iraniane deklaroi se tankerët kishin devijuar nga rruga e përcaktuar nga autoritetet iraniane, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun e zonës së minuar. Sipas versionit të Teheranit, ekuipazhet e dy anijeve u detyruan të braktisnin mjetet, të cilat më pas ranë nën kontrollin e personelit amerikan. Autoritetet iraniane pretendojnë se anijet ishin paralajmëruar më herët nga forcat detare për pasojat e kalimit në një itinerar të konsideruar të rrezikshëm.
Ndërkohë, kompania shtetërore saudite e transportit detar Bahri konfirmoi një detaj tragjik lidhur me incidentin. Sipas kompanisë, dy marinarë filipinas humbën jetën pas sulmit ndaj tanker-it “Sidr”, gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit në natën e 31 gushtit. Bahri bëri të ditur se anija u përfshi në një “incident sigurie” dhe konfirmoi vdekjen e dy anëtarëve të ekuipazhit.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike të transportit detar në botë, ndërsa çdo incident në këtë korridor ka potencial të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë e lundrimit dhe furnizimet globale me energji.
