Nafta arrin 97 dollarë, gazi në Europë në nivelet më të larta të tre viteve
Rifillimi i përplasjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të ri të konfliktit, duke ndikuar në tregjet energjetike. Çmimet e gazit natyror në Europë kanë arritur nivelin më të lartë që nga viti 2023, ndërsa çmimi i naftës ka shënuar rritjen më të madhe në pesë javë, duke u ngjitur deri në 97 dollarë për fuçi të mërkurën.
Ky zhvillim vjen pasi rifillimi i sulmeve mes SHBA-së dhe Iranit ka rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit. Nafta Brent, si referencë ndërkombëtare për çmimet e naftës, u rrit me deri në 2.5%, duke kaluar pak mbi 97 dollarë për fuçi, para se të stabilizohej rreth 95 dollarë për fuçi në Londër. Ndërkohë, çmimi i gazit natyror në qendrën europiane TTF në Holandë ka kaluar 75 euro për megavat/orë, duke shënuar nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2023.
Rritja e çmimeve erdhi pas një valë të re sulmesh amerikane ndaj Iranit të martën, e dyta brenda pak ditësh. Kjo ka forcuar shqetësimet e investitorëve për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes dy vendeve, pas një periudhe relativisht të qetë gjatë gushtit. Siç u shpreh Mike Bell, drejtues i strategjisë së tregjeve në RBC BlueBay Asset Management, “Perceptimi se ky konflikt mund të përfundojë deri në Krishtlindje po zbehet me shpejtësi,” duke shtuar se “kjo po lëviz tregjet.”
Uashingtoni dhe Teherani aktualisht po përballen për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për furnizimin global me naftë.
Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit ka ushtruar presion mbi tregjet globale të obligacioneve dhe aksioneve, duke rikthyer shqetësimet se ekonomia botërore mund të përballet me një periudhë të zgjatur inflacioni. Yield-i i bonove 10-vjeçare të Thesarit amerikan u rrit në 4.81% të mërkurën në mëngjes, niveli më i lartë që nga viti 2023. Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare gjermane u rrit me 0.04 pikë përqindjeje, duke arritur në 3.37%, duke mbajtur kostot e huamarrjes së Gjermanisë në nivelin më të lartë që nga viti 2011. Në Mbretërinë e Bashkuar, kostot e huamarrjes arritën nivelin më të lartë që nga viti 2008 për të dytën ditë radhazi, me yield-in e obligacioneve 10-vjeçare që u rrit me 0.04 pikë përqindjeje, duke shkuar në 5.26%.
Rritja e çmimeve të gazit ka pasur një presion të veçantë mbi tregjet europiane të obligacioneve. Inflacioni në Eurozonë u përshpejtua në 3.3% në gusht, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të martën, ndërsa çmimet e energjisë u rritën me 14.3%.
Mohit Kumar, kryeekonomist për Europën në Jefferies, theksoi se kompania e investimeve po reduktonte ekspozimin ndaj aktiveve më të rrezikshme pas rritjes së çmimeve të naftës. Sipas Kumar, yield-et e obligacioneve po arrijnë nivele ku një rritje e mëtejshme do të ishte gjithnjë e më negative si për tregjet e aksioneve, ashtu edhe për kreditimin.
Kontratat e të ardhmes që ndjekin indeksin S&P 500 sinjalizonin një tjetër rënie të mërkurën, duke iu shtuar humbjes prej më shumë se 1% të regjistruar deri në atë moment gjatë javës. Japonia dhe Koreja e Jugut, dy prej importuesve më të mëdhenj të naftës, udhëhoqën rëniet në bursat aziatike, me indeksin Nikkei 225 që ra me 3% dhe Kospi humbi 3.8%.
