“`html
Analiza: Si po shterojnë SHBA-së raketat dhe municionet! Problemi i industrisë perëndimore të mbrojtjes
Shtetet e Bashkuara po përballen me një problem serioz sa i përket rezervave të municioneve dhe raketave interceptuese. Ritmi i konsumit gjatë operacioneve ushtarake ka tejkaluar kapacitetet aktuale të prodhimit.
Sipas të dhënave të paraqitura, stoqet amerikane të raketave Patriot kanë pësuar një rënie të ndjeshme, ndërsa edhe sistemet THAAD kanë një tkurrje të konsiderueshme.
Një analizë nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) trajton problemin duke u fokusuar te raporti mes prodhimit, konsumit dhe importeve. Kështu, ekuacioni i funksionimit të industrisë (P + I ≥ C) tregon se prodhimi (P) plus importet (I) duhet të jenë të barabarta ose më të mëdha se konsumi (C). Kur konsumi e tejkalon këtë nivel, ushtria detyrohet të racionalizojë furnizimet dhe të vendosë prioritete për mbrojtjen.
Ky problem lidhet edhe me organizimin e industrisë moderne. Për dekada, sektorët ushtarakë kanë operuar sipas logjikës së prodhimit “vetëm në kohë”, duke mbajtur rezerva më të kufizuara dhe duke u mbështetur te furnizimet e vazhdueshme. Megjithatë, një luftë me intensitet të lartë mund të shkatërrojë brenda pak muajsh rezervat që janë krijuar për vite të tëra.
Një shembull i qartë është predha e artilerisë 155 mm. SHBA-të kanë përdorur më shumë se 3.6 milionë predha nga rezervat strategjike midis shkurtit 2022 dhe marsit 2026. Në mars 2026, prodhimi arrinte rreth 36 mijë njësi në muaj, një shifër shumë më e ulët se objektivi prej 100 mijë njësish në muaj. Vetëm për të rikuperuar sasinë e konsumuar, do të duheshin më shumë se tetë vjet.
Vështirësitë janë edhe më të mëdha për raketat moderne interceptuese. Një raketë Patriot PAC-3 MSE ose THAAD përmban një numër të madh komponentësh elektronikë dhe mekanikë të specializuar. Një raketë e re PAC-3 kërkon rreth 42 muaj nga porosia deri në dorëzim, ndërsa për THAAD periudha arrin në 53 muaj.
Një tjetër sfidë është varësia nga zinxhirët globalë të furnizimit dhe lëndët e para. Për shembull, galiumi dhe metalet e rralla janë esenciale për radarët, sensorët dhe komponentët e sistemeve të mbrojtjes ajrore. Kina ka një rol dominues në përpunimin e disa prej këtyre materialeve, duke krijuar një dobësi strategjike për industrinë amerikane, sidomos tani që kërkesa për armë po rritet.
Ky presion po reflektohet edhe te aleatët e SHBA-së. Rritja e konsumit në Lindjen e Mesme ka sjellë ndryshime në prioritetet e furnizimit, me disa dërgesa të sistemeve të mbrojtjes ajrore drejt aleatëve që janë shtyrë. Rreth 50% e prodhimit vjetor amerikan të raketave Patriot lidhet me porosi të huaja, gjë që e bën edhe më të vështirë menaxhimin e rezervave në periudha konflikti.
Në këtë situatë, shqetësimi kryesor mbetet kostoja dhe koha e prodhimit të “armëve të teknologjisë së lartë”. Një raketë interceptuese THAAD kushton rreth 15.5 milionë dollarë, ndërsa një Patriot PAC-3 MSE rreth 5.3 milionë dollarë. Me ritmin aktual të konsumit dhe kohët e gjata të prodhimit, një konflikt mund të krijojë presion mbi rezervat amerikane shumë para se industria të jetë në gjendje t’i rikthejë ato në nivelet e mëparshme.
“`
