Rasti Epstein: Leon Black refuzon të dëshmojë para Kongresit

Rasti Epstein: Miliarderi Leon Black refuzon të dëshmojë para Kongresit

Miliarderi amerikan Leon Black ka refuzuar të paraqitet në një seancë dëgjimore nën betim përpara Kongresit amerikan, duke u përballur kështu me rrezikun e një procedure të mundshme për shpërfillje të Kongresit.

Bashkëthemeluesi i gjigantit të investimeve Apollo Global Management është përfshirë në hetimet që lidhen me marrëdhëniet e tij financiare me Jeffrey Epstein. Kongresi po kërkon të zbardhë më tej natyrën e këtyre marrëdhënieve dhe veçanërisht marrëveshjet financiare mes tyre.

Gjatë një seance të mëparshme në qershor, Black pranoi se i kishte paguar Epstein 158 milionë dollarë për këshillim lidhur me taksat dhe pasurinë. Megjithatë, ai ka mohuar të ketë pasur dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein dhe ka mohuar çdo akuzë për sulme seksuale ndaj grave.

Seanca e mëparshme ishte ndërprerë pasi Black refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me marrëveshjet e konfidencialitetit që kishte lidhur me gra. Pas kësaj, ligjvënësit e thirrën sërish për të dëshmuar nën betim, ndërsa i kërkuan edhe të dorëzonte dokumente që lidhen me këto marrëveshje. Por miliarderi nuk iu bind thirrjes.

Në vend të paraqitjes përpara Kongresit, Black iu drejtua gjykatës federale për të kundërshtuar kërkesat e ligjvënësve. Avokatja e tij, Susan Estrich, argumentoi se komiteti po kërkon informacione që tejkalojnë mandatin e tij dhe akuzoi ligjvënësit se synojnë të dëmtojnë reputacionin e klientit të saj.

Ndërkohë, më shumë se një duzinë grash që kanë deklaruar se janë sulmuar seksualisht nga Jeffrey Epstein i kanë bërë thirrje Black që të zbatojë kërkesat e Kongresit. Sipas tyre, marrëveshjet e konfidencialitetit të nënshkruara prej tij mund të ndihmojnë në zbardhjen e marrëdhënieve të tyre me Epstein dhe persona të tjerë të rrethit të financierit.

Kryetari republikan i komitetit, James Comer, e kritikoi ashpër vendimin e Black, duke deklaruar se miliarderi po zgjedh të fshihet pas një beteje ligjore në vend që t’u përgjigjet pyetjeve të Kongresit. Ai tha se komiteti do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm.

Edhe kongresmeni demokrat Robert Garcia bëri thirrje për nisjen e procedurave për shpërfillje të Kongresit, duke theksuar se Black ka injoruar tashmë dy thirrje të këtij organi.

Scroll to Top