“`html
Rama uron Melonin për rekordin e kryeministres më jetëgjatë në Itali: “Duhet të thyesh timin”
Kryeministri Edi Rama ka uruar homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, pasi ajo u bë kryeministrja më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane, duke qëndruar në detyrë për 1,413 ditë.
Rama e nisi urimin me humor, duke deklaruar se është mësuar që zyrtarët e Romës të ndërrojnë kryeministër me të njëjtin ritëm me të cilin skuadra e futbollit Milan ndryshon trajnerët.
Kryeministri shtoi se qeveria italiane nuk është në rrezik, duke sugjeruar se presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, duhet të jetë e lumtur për këtë situatë.
Në fund, Rama sfidoi Melonin të thyejë rekordin e tij, duke marrë parasysh se ai vetë ka drejtuar qeverinë shqiptare për katër mandate.
Reagimi i plotë i Ramës:
“Giorgia, po lexoj se që nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Vërtet? Unë qenkam mësuar keq, duke ndryshuar bashkëbiseduesin në Romë pothuajse me të njëjtin ritëm siç Milani ndërron trajnerët.
E megjithatë, shiko sa e çuditshme: demokracia italiane nuk duket aspak se është në rrezik, pavarësisht gjithçkaje që, sidomos ne në të majtë, kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi me pantallona të zeza. Më kujtohet se edhe Ursula, në atë kohë, ishte shqetësuar jo pak, apo jo? Sot, përkundrazi, edhe ajo duhet të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin.
Sepse, në vend që të marshoje mbi trupin e Europës, siç kishim frikë, ti e përqafove Europën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa çështje: sigurinë, emigracionin e paligjshëm, sigurisht.
Por gjithsesi, duhet thënë e vërteta: që kur erdhe ti, në Itali ekziston një deficit i jashtëzakonshëm demokratik. I ke nxjerrë burrat jashtë garës për pushtet, e cila tashmë është kthyer në një çështje mes grave, vetëm mes grave.
Çfarë të të them, e dashur Giorgia? Tani ka edhe një rekord tjetër për t’u thyer: rekordi im. Dhe mos të guxojë njeri të më thotë se Italia nuk është në Ballkan, dhe se përse jemi gjithmonë pas Gjermanisë, ku një tjetër zonjë e shquar ka qeverisur edhe më gjatë se unë.
Epo, rroftë Italia, rrofshin gratë italiane dhe shqiptare!”
“`
