Serbia priti me nderime kriminelin e luftës Mlladiq, eurodeputeti gjerman shpërthen ndaj Beogradit: Skandal dhe turp
Eurodeputeti gjerman Michael Roth ka reaguar me tone mjaft të ashpra ndaj vendimit të Serbisë për t’i bërë nderime të larta shtetërore e ushtarake Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Serbe, i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid dhe krime të rënda lufte.
Sjellja e Beogradit, i cili priti trupin e Mlladiqit me ceremoni zyrtare ushtarake, u cilësua nga eurodeputeti gjerman si një goditje e rëndë ndaj procesit të pajtimit në Ballkanin Perëndimor.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të shihja një person të dënuar për krime lufte, përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës, të marrë nderime shtetërore në Beograd. Kjo tregon se sa larg është Serbia nga pajtimi për të cilin ka nevojë urgjente rajoni. Faleminderit të gjithë serbëve që e kundërshtojnë publikisht këtë turp,” deklaroi Roth.
Nderimet e dhëna për kriminelin e luftës kanë sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të Bashkimit Europian. Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi zyrtarisht vizitën e saj të planifikuar në Serbi, duke dënuar ashpër glorifikimin e figurave të dënuara për krime kundër njerëzimit.
Ratko Mlladiq ndërroi jetë më 27 gusht në Hagë në moshën 84-vjeçare, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Ai u dënua përfundimisht nga mekanizmi gjyqësor i OKB-së për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës të korrikut 1995, ku u masakruan mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.
