“`html
Kokalari me akuza të forta për vizitën e Berishës në SHBA: Arrriti të korruptonte rrethin e Rubios, mbështetjen e Republikanëve nuk e ka!
Ish-mbështetësja e dikurshme e Sali Berishës, Evi Kokalari, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kreut të PD-së dhe mbështetësve të tij, duke kundërshtuar pretendimet se ish-kryeministrit i janë hequr sanksionet amerikane. Në një reagim të gjatë, Kokalari e nis duke kritikuar ndjekësit e Berishës, të cilët, sipas saj, nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes fakteve dhe propagandës.
Në qendër të postimit të saj është çështja e statusit të Berishës në raport me Shtetet e Bashkuara. Kokalari këmbëngul se sanksionet ndaj tij nuk janë hequr, duke iu referuar Seksionit 7031(c) dhe duke argumentuar se përjashtimi për vizë nuk nënkupton tërheqjen e konstatimeve amerikane të vitit 2021 për korrupsion. Sipas saj, Departamenti Amerikan i Shtetit është mbështetur te kriteri i “interesit kombëtar madhor” dhe jo te ndryshimi i rrethanave që çuan në shpalljen e Berishës person të padëshiruar.
Kokalari ngre më pas një seri pretendimesh lidhur me mënyrën se si, sipas saj, është mundësuar afrimi i Berishës me figura të rëndësishme politike amerikane. Ajo pretendon se Berisha mund të jetë duke bashkëpunuar me agjenci amerikane, të cilave mund t’u ketë dhënë informacione në këmbim të interesave politike dhe marrjes së vizës së udhëtimit për në SHBA. Ajo shprehet se ka vendosur të shesë të tjerët duke dhënë informacione relevante që mund t’i ndihmojnë republikanët apo Shtetet e Bashkuara në luftën kundër Sorosit ose elementëve të tjerë.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit i kushtohet marrëdhënies së saj të mëparshme me rrethin politik të Berishës dhe përplasjes me figura amerikane si Richard Grenell dhe Chris LaCivita. Kokalari pretendon se konflikti i saj me Grenellin nisi pasi ajo u distancua nga grupi i Berishës dhe se më pas ky i fundit arriti të krijojë kontakte me Grenellin përmes personave të tjerë. Ajo shkon edhe më tej, duke pretenduar se Berisha kishte synuar të përdorte këto lidhje për të krijuar përshtypjen e një mbështetjeje nga republikanët amerikanë.
“Mbështetjen e republikanëve nuk e ka,” shkruan Kokalari, duke pretenduar se lidhjet e krijuara nga Berisha me disa persona pranë Partisë Republikane nuk përfaqësojnë një mbështetje zyrtare të kësaj force politike. Ajo pretendon se Berisha ka pasur fatin të korruptonte disa persona në rrethin e Rubios dhe LaCivitën.
Kokalari kritikon ashpër mbështetësit e Berishës, duke i cilësuar si “një grup injorantësh” që nuk bëjnë dallimin mes fakteve dhe propagandës. Ajo shprehet se sanksionet nuk janë hequr dhe se Departamenti i Shtetit iu referua arsyetimit të “interesit kombëtar madhor”, jo ndryshimit të rrethanave. Ajo ngre dyshime edhe për mënyrën se si figurat si Grenell janë “përfituar” nga lidhjet me politikanë të korruptuar në Shqipëri dhe Serbi.
Ajo përmend rastin e Fatmir Mediut, i cili dërgoi dikë pranë Rubios, duke çuar te Chris LaCivita, i cili kishte lidhje me senatorin përmes Susie Wiles. LaCivita ndërmjetësoi lidhjen me ish shefin e shtabit të Rubios. Sipas saj, për të marrë 6 milionë dollarë, duhej gjetur një justifikim për t’i dhënë Berishës një “visa waiver”, në mënyrë që ai të shkele në Shtetet e Bashkuara dhe t’u thoshte shqiptarëve: “Shikoni, kam mbështetjen e republikanëve.”
Kokalari pretendon se armiqësia e saj me Grenellin nisi kur ajo u distancua nga grupi i Berishës dhe këta të fundit arritën tek ai përmes një personi që ajo e cilëson “mashtruese”. Armiqësia me LaCivitën filloi dhe vazhdon sepse ai, pasi e kuptoi kush ishin, vazhdoi të punonte me ta. Ajo thekson se do të luftojë të gjithë ata që i kanë dhënë mundësinë Berishës qoftë edhe për një vizitë dhe se ata do të hetohen nga agjencitë përkatëse amerikane.
Ajo përmend edhe akuzat për pastrim parash për televizionin Syri dhe lidhjen e mundshme me paratë e Shkëlzen Berishës, në bashkëpunim me Shtufin. Ajo e cilëson këtë si një rrjet mafioz.
“Sali Berisha është akoma non grata,” deklaron Kokalari, duke shtuar se të gjitha këto përpjekje dhe lidhje me figura të Partisë Republikane do të hetohen. Ajo parashikon se FBI-ja nuk do të kursejë as LaCivitën dhe as Grenellin, ashtu siç hetuan McGonigalin.
Ajo përfundon duke thënë se të gjithë rrethi mafioz i Berishës, përfshirë Saliun, Shkëlzenin, “idiotët e televizionit Syri” dhe “mashtrueset e shoëbizit”, do të përballen me drejtësinë amerikane. Ajo pretendon se ata nuk ja dolën të arrinin qëllimin e tyre për të depërtuar në rrethet e Trumpit dhe për të ndihmuar Berishën, por arritën vetëm të korruptonin Grenellin dhe të shkatërronin karrierën e tij, duke harxhuar 10 milionë dollarë për një vizitë në SHBA.
Ajo përfundon me bindjen se, pavarësisht se Berisha mund të vijë në Shtetet e Bashkuara, ai dhe fëmijët e tij, si koka e korrupsionit në vend, do të përfundojnë në burg.
“`
