Sarah Khalifa e dënuar me vdekje për trafik droge në Egjipt

Prezantuesja egjiptiane Sarah Khalifa dënohet me vdekje për trafik droge

Prezantuesja televizive egjiptiane Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë janë dënuar me vdekje, pasi janë shpallur fajtorë për përfshirje në një grup kriminal të trafikut të drogës. Sipas gazetës shtetërore Al-Ahram, të dënuarit importonin lëndë të para për prodhimin e drogës me qëllim shitjen e tyre.

Autoritetet kanë sekuestruar mbi 750 kilogramë lëndë narkotike dhe materiale të importuara për prodhimin e tyre. Gjatë hetimeve janë zbuluar gjithashtu armë dhe municione të paligjshme.

Sarah Khalifa, 39 vjeçe, njihej për programin televiziv “Mission Impossible”, i cili trajtonte çështje kriminale. Ajo ka mohuar akuzat ndaj saj.

Në të njëjtën çështje, nëntë të pandehur të tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa shtatë persona janë shpallur të pafajshëm. Avokati i Sarah Khalifas ka deklaruar se do të apelojë vendimin.

Vendimi fillimisht u shpall muajin e kaluar, por u konfirmua vetëm një muaj më vonë, pasi gjykata mori opinionin fetar të myftiut të madh të Egjiptit, një procedurë e detyrueshme për dënimet me vdekje.

Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria paraqiti dëshmi nga 20 persona, si dhe prova elektronike, përfshirë biseda dhe video. Sipas Akhbar al-Youm, gjatë një seance gjyqësore, Khalifa deklaroi se nuk kishte parë kurrë drogë deri në momentin kur u fotografua me të në ambientet e autoritetit kundër narkotikëve.

Një raport i Amnesty International për vitin 2025 thekson se në Egjipt u dhanë 492 dënime me vdekje gjatë atij viti, ndërsa 23 persona u ekzekutuan. Raporti rekomandon kufizimin e dënimit me vdekje, sipas së drejtës ndërkombëtare, vetëm për krimet që përfshijnë vrasje të qëllimshme.

Scroll to Top