“`html
“Sa të jem unë kryetar i PS, çdo të premte në orën 5…”, tre deputetët socialistë që refuzuan urdhrin e Ramës për “Praninë Besnike”
Botuar më: 05.09.2026
Ditën e djeshme, shumica dërrmuese e deputetëve socialistë iu bashkuan nismës “Prania Besnike”, pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama që çdo të premte ata të dëgjojnë nga afër shqetësimet e qytetarëve.
Rrjetet sociale të deputetëve u mbushën me postime, ku fillimisht njoftuan vendin ku do të zhvilloheshin takimet dhe më pas nisin edhe vetë ato. Megjithatë, në nisjen e parë të kësaj iniciative, disa nga figurat e njohura të Partisë Socialiste nuk zhvilluan takime ose nuk kishin bërë publik vendin ku do të prisnin qytetarët.
Mes tyre ishte Elisa Spiropali, ish-kryetare e Kuvendit dhe ish-ministre e Jashtme, e cila nuk publikoi asnjë njoftim për zhvillimin e takimeve në kuadër të “Pranisë Besnike”. Edhe Fatmir Xhafaj nuk ka bërë publik asnjë vendtakim ku do të zhvillonte dëgjesat me qytetarët.
Deputeti Erion Braçe, nga ana tjetër, ka zgjedhur të mos i nisë takimet këtë të premte. Sipas raportimeve, ai pritet t’i fillojë ato javën e ardhshme, pasi të konsultohet me grup-seksionet e PS-së në Njësinë Administrative nr. 5 në Tiranë.
Ndërkohë, pjesa tjetër e deputetëve socialistë kanë nisur takimet në terren, në lokale dhe ambiente të ndryshme jashtë zyrave të PS-së.
Vetë kryeministri Rama ka reaguar lidhur me mënyrën se si duhet të funksionojë kjo nismë, duke përcaktuar rregulla të qarta: pa kamera, pa kartë partie dhe me dëgjesa individuale, ku qytetarët të mund të paraqesin shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
“Prania Besnike është vend neutral. Hyhet pa kamera dhe pa kartë partie,” ka deklaruar kryeministri, duke shtuar se qëllimi nuk është që deputetët të bëhen “ndërmjetës”, por të sigurojnë që qytetari të marrë përgjigjen që i takon.
“`
