Shtatori zgjat sezonin turistik, pushuesit zgjedhin detin me çmime më të favorshme
Ndonëse muaji gusht shënon tradicionalisht fundin e sezonit të verës, bregdeti i Shëngjinit vijon të presë pushues edhe në ditët e para të shtatorit. Shumë qytetarë kanë zgjedhur dy javët e para të këtij muaji për të shijuar ditët e fundit të pushimeve, duke përfituar nga temperaturat më të moderuara dhe qetësia që karakterizon bregdetin pas largimit të fluksit të madh veror.
Një ndër arsyet kryesore që i orienton pushuesit drejt shtatorit janë çmimet më të favorshme. Krahas kostove më të ulëta, moti më i freskët dhe kombinimi i detit me natyrën e bëjnë Shëngjinin një alternativë të preferuar për ata që kërkojnë disa ditë relaksi larg zhurmës së sezonit të lartë.
Shëngjini nuk është një destinacion që frekuentohet vetëm gjatë muajve të pikut të verës. Kushtet klimatike të favorshme bëjnë që zona të presë vizitorë që prej pranverës, ndërsa sezoni për shumë pushues vijon edhe gjatë pjesës së parë të shtatorit. Edhe këtë vit, ditët e para të muajit kanë sjellë një numër të konsiderueshëm pushuesish në bregdetin e Shëngjinit, të cilët duket se po zgjedhin këtë periudhë për të shijuar më qetë detin dhe temperaturat e buta.