Protestë 98 ditë: “Rrethim” i Kuvendit me vezë e domate

Dita e 98-të e protestës, qytetarët paralajmërojnë “rrethimin” e Kuvendit: Çdo seancë me vezë, nuk na përfaqëson Noka dhe Zeqineja

Protesta e 98-të u zhvillua këtë të shtunë në Tiranë. Pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë.

Marshimi u shoqërua me thirrje kundër qeverisë. Protestuesit u ndalën para Kryeministrisë, ku vijuan fjalimet dhe deklaratat e tyre.

Gjatë një prej fjalimeve, një protestues paralajmëroi se tubimet do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm. Ai gjithashtu njoftoi pjesëmarrjen e protestuesve gjatë seancës së parë plenare të Kuvendit.

“Këto ditë prisnim kur do të ishte seanca e parë plenare që t’u bënim vizitë deputetëve. A jeni gati? A do t’i presim me vezë, domate dhe miell apo jo? Të gjithë ata që kanë ngulmuar që kjo protestë të ndryshojë, iu them se kjo protestë do të vazhdojë kështu,” deklaroi ai.

Protestuesi bëri të ditur se pjesëmarrësit do të jenë të martën pranë Parlamentit, në nisje të seancës së parë plenare.

“Ditën e martë, në orën 5 pasdite do jemi te Parlamenti, pasi fillon seanca e parë plenare. A do jemi të martën te Parlamenti apo jo? A do t’i presim deputetët me vezë dhe domate apo jo? A do u themi që nuk na përfaqësoni apo jo?”, vijoi ai.

Sipas tij, protesta do të vijojë çdo ditë, ndërsa synimi është që protestuesit të jenë të pranishëm përpara Kuvendit gjatë çdo seance plenare.

“Ne do vijojmë protestën si çdo ditë, por betohemi se në çdo seancë plenare do na kenë te dera. Nuk pranojmë të përfaqësohemi nga Flamur Noka dhe Zeqineja. Ky shtator do e gjejë popullin në revoltë,” u shpreh protestuesi.

Scroll to Top