Vetëm 23 bashki kanë buxhet për mbrojtjen nga zjarret
Ndërsa zjarret kanë shkatërruar dhjetëra hektarë pyje dhe kullota në të gjithë vendin gjatë verës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, pushteti vendor ka dështuar të investojë edhe fondet e kufizuara të disponueshme.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se vetëm 23 bashki kanë alokuar fonde në buxhetet e tyre për mbrojtjen nga zjarri, me një vlerë totale prej rreth 729.6 milionë lekësh për vitin aktual. Megjithatë, shpenzimet reale deri në fund të qershorit kanë qenë vetëm 75.7 milionë lekë, duke arritur vetëm 10.4% të fondeve të planifikuara.
Nga 23 bashkitë me investime të planifikuara për mbrojtjen nga zjarri dhe mbrojtjen civile, vetëm 11 kishin regjistruar shpenzime deri në qershor, ndërsa 12 të tjera nuk kishin kryer asnjë pagesë, sipas të dhënave zyrtare.
Diferenca më e theksuar mes fondeve të planifikuara dhe realizimit shihet në Bashkinë e Tiranës. Kryeqyteti ka planifikuar rreth 356.8 milionë lekë, pothuajse gjysmën e totalit të 23 bashkive së bashku. Megjithatë, deri në fund të qershorit, shpenzimet reale të Tiranës ishin vetëm 164.9 mijë lekë, duke përfaqësuar rreth 0.05% të buxhetit total.
Bashkia e Durrësit, e dyta për nga fondet e planifikuara, kishte një buxhet prej rreth 104 milionë lekësh, por nuk rezultonte të kishte realizuar asnjë shpenzim deri në qershor.
Tirana dhe Durrësi së bashku përfaqësojnë mbi 63% të të gjitha fondeve të planifikuara nga 23 bashkitë, por deri në qershor kishin shpenzuar vetëm rreth 165 mijë lekë. Ky nivel i ulët i shpenzimeve nga këto dy bashki kryesore ka ndikuar ndjeshëm në realizimin e përgjithshëm në nivel vendi.
Në drejtim të kundërt, Himara kryeson për vlerën e shpenzimeve reale. Bashkia ka realizuar 46.8 milionë lekë nga 143.8 milionë lekë të planifikuara, duke arritur rreth 32.5% të fondit. Kjo shpenzim lidhet kryesisht me blerjen e një automjeti zjarrfikës me vlerë 46.8 milionë lekë, projekt ky i paguar plotësisht.
Pas Himarës renditet Pusteci, me rreth 10.8 milionë lekë shpenzime nga 18.9 milionë lekë të parashikuara, kryesisht për blerjen e një mjeti për shërbimin e MZSH-së.
Kukësi ka treguar një nga nivelet më të larta të realizimit, duke shpenzuar rreth 8.44 milionë lekë nga 8.46 milionë lekë të planifikuara (99.7%). Rreth 7 milionë lekë janë përdorur për blerjen e një automjeti zjarrfikës.
Edhe Librazhdi ka realizuar praktikisht të gjithë fondin prej rreth 4.55 milionë lekësh, megjithëse shumica e tij është shpenzuar për ndërhyrje të mbrojtjes civile, jo drejtpërdrejt për pajisje zjarrfikëse.
Në total, Himara, Pusteci dhe Kukësi përbëjnë rreth 87% të të gjitha shpenzimeve reale të evidentuara deri në qershor për këto 23 bashki.
Ndërkohë, përveç Durrësit, bashki të tjera si Kavaja, Kruja, Vlora, Bulqiza, Malësia e Madhe, Gramshi, Puka, Përrenjasi, Këlcyra dhe Dropulli nuk rezultonin të kishin realizuar ende shpenzime, pavarësisht se kishin fonde të parashikuara në buxhet për këtë program.
Të dhënat e mbledhura deri në fund të qershorit të vitit 2026 pasqyrojnë ecurinë e realizimit vetëm për gjysmën e parë të vitit dhe jo rezultatin përfundimtar të shpenzimeve vjetore.