Tatimet: Tatimpaguesit kursejnë 140 milionë euro duke rivlerësuar pronat me tatim 5%
Shuma e kursyer nga individët që kanë aplikuar për procesin e rivlerësimit të apartamenteve me tatim 5%, në vend të 15%, arrin në 140 milionë euro.
Administrata Tatimore ka publikuar të dhënat, duke theksuar se vetëm gjatë 6 muajve, nga marsi në gusht 2026, 140 milionë euro është vlera e kostos fiskale që tatimpaguesit kanë kursyer përmes rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Sipas Tatimeve, kjo përfaqëson një lehtësi konkrete fiskale që ul barrën për qytetarët dhe bizneset, duke krijuar një përfitim të drejtpërdrejtë për tatimpaguesit.
Nga procesi i rivlerësimit mund të përfitojnë si individët që kërkojnë të shesin një pasuri të paluajtshme, ashtu edhe ata që kanë regjistruar pronat e tyre me një vlerë më të ulët se vlera e tregut.
Në të dyja rastet, tatimi i llogaritur nga diferenca mes vlerës së mëparshme të regjistruar të pronës dhe vlerës së re të shitjes apo tregut, do të jetë 5%, ndërkohë që në periudha të zakonshme aplikohet 15%.
Sipas administratës tatimore, afati për kryerjen e rivlerësimit përfundon më 31 dhjetor 2026. Procesi i rivlerësimit nisi zbatimin në muajin shkurt 2026.
Administrata Tatimore publikon në mënyrë të përsëritshme të dhënat për shumat e kursyera nga individët që aplikojnë për rivlerësimin me tatim 5%. Deri më 6 gusht, vlera e kursyer ishte 120.5 milionë euro.
