Ekonomia Shqiptare: Sfidat Dhe Rruga Drejt Prodhimit

“`html

Një Kontratë e Re me Sipërmarrjen Shqiptare

Nikola Kedhi, Nënkryetar i Partisë Demokratike

Ka diçka thellësisht të gabuar në një ekonomi ku është më e lehtë të fitosh nga afërsia me shtetin sesa nga prodhimi, më e leverdishme të investosh në një aset spekulativ sesa në një makineri dhe ku sipërmarrësi që punëson, eksporton dhe riinveston duhet të luftojë çdo ditë me burokracinë, kostot, arbitraritetin dhe konkurrencën e pandershme. Kjo nuk është ekonomi tregu.

Tregu i lirë nuk është thjesht mungesa e shtetëzimit. Treg i lirë do të thotë konkurrencë e ndershme, rregulla të njëjta për të gjithë dhe një shtet që garanton lojën, jo që zgjedh fituesit e saj.

Indeksi më i fundit i Biznesit i Dhomës Amerikane e konfirmon atë që sipërmarrësit shqiptarë e ndiejnë çdo ditë. Klima e biznesit pati rënien më të fortë në historinë e indeksit. Në fakt, raporti i OECD-së për konvergjencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian e vendos Shqipërinë të fundit për sa i përket klimës së biznesit. Monopolet dhe konkurrenca e pandershme, burokracia qeveritare, informaliteti, korrupsioni dhe mungesa e fuqisë së kualifikuar janë ndër problemet më të mëdha të identifikuara nga sipërmarrësit.

Këto janë simptomat e një modeli ekonomik që është konsumuar. Shqipërisë i duhet një model tjetër që shkon nga:

  • Ekonomia e importit, konsumit dhe parave të pista tek ekonomia e prodhimit, inovacionit dhe eksportit.
  • Privilegji tek konkurrenca.
  • Kapitali që kërkon lidhje politike tek kapitali që investon, prodhon dhe eksporton.

Kjo është edhe filozofia jonë ekonomike. Puna nuk mund të trajtohet si një burim gjithnjë e më i madh taksash. Rritja e pagës minimale nuk duhet të kthehet automatikisht në rritje të barrës fiskale për punëmarrësin dhe kompaninë. Në sektorët që krijojnë shumë vende pune duhet të kemi instrumente që nxisin punësimin formal, jo që e bëjnë atë më të shtrenjtë.

Kapitali që riinvestohet në ekonomi duhet trajtuar ndryshe nga kapitali që largohet prej saj. Një kompani që fitimin e përdor për një linjë të re prodhimi, teknologji, automatizim apo zgjerim kapacitetesh po krijon produktivitet, çmime më të ulëta për konsumatorin, paga të larta për punonjësit dhe vende pune të qëndrueshme për nesër. Politika jonë fiskale e inkurajon këtë.

Edhe investimi në teknologji duhet të bëhet më i lehtë dhe më i shpejtë. Amortizimi fiskal, skemat transparente të bashkëfinancimit për automatizim, digjitalizim dhe eficiencë energjetike, si dhe një trajtim racional i lëndëve të para që Shqipëria nuk i prodhon, nuk janë “dhurata” për biznesin. Janë instrumente për ta bërë një produkt shqiptar konkurrues me një produkt serb, grek, maqedonas, polak, turk apo dhe italian.

Por fiskaliteti është vetëm një pjesë e problemit. Sipërmarrësi ka nevojë për siguri. Të dijë se ligji i sotëm nuk do të ndryshojë nesër krejt papritur e pa konsultim. Se administrata nuk do përdoret më për presion. Se një inspektim nuk është instrument arbitrar. Se konkurrenti i tij nuk do të marrë një avantazh sepse njeh dikë në qeveri. Se paratë informale nuk do të konkurrojnë me kapitalin e ndershëm dhe se një kontratë publike nuk do të shndërrohet në mekanizëm për krijimin e monopoleve.

Në diskutimin e AmCham dhe Revistës Monitor u ngrit pikërisht shqetësimi për rritjen e rolit të shtetit në ekonomi dhe nevojën për ta çliruar rritjen nga varësia ndaj tij. U theksua gjithashtu se integrimi europian nuk mund të jetë thjesht prodhim ligjesh në Tiranë, të cilat më pas biznesit i kërkohet t’i zbatojë brenda pak muajsh. Biznesi duhet të jetë pjesë e hartimit të tyre dhe kostot e tranzicionit nuk mund t’i ngarkohen verbërisht sektorëve prodhues dhe eksportues.

Kush do ta prodhojë mirëqenien e Shqipërisë së ardhshme? Nuk mund ta prodhojë administrata. Nuk mund ta prodhojnë PPP-të. Nuk mund ta prodhojë pafund ndërtimi. Dhe sigurisht nuk mund ta prodhojë paraja informale. Do ta prodhojnë sipërmarrësit shqiptarë, prodhuesit, fermerët e eksportuesit. Do e krijojnë profesionistët e të rinjtë që hapin kompani. Do e bëjë kapitali shqiptar dhe i huaj që ka besim se këtu mund të investojë pa kërkuar mbrojtje politike.

Prandaj mendoj se ka ardhur koha për diçka më të madhe se kërkesat e veçanta të një sektori apo tjetrit. Ne nuk pretendojmë se politika mund ta ndërtojë e vetme këtë model. Ai duhet ndërtuar së bashku me sipërmarrësit, prodhuesit, eksportuesit dhe profesionistët që çdo ditë përballen me tregun real. Ndaj na duhet një front i përbashkët për ekonominë prodhuese shqiptare. Për të ndërtuar me njëri-tjetrin një kontratë dinjiteti e besimi reciprok, në funksion të ndërtimit të një Shqipërie prodhuese, inovative e të punës së ndershme. Një aleancë e atyre që besojnë se pasuria krijohet përmes punës, sipërmarrjes, pronës, investimit, teknologjisë dhe konkurrencës; dhe se detyra e politikës është t’u hapë rrugën këtyre forcave, jo t’i mbajë ato nën kontroll.

Shqipëria nuk do të bëhet më e pasur duke i marrë gjithnjë e më shumë atij që prodhon. Do të bëhet më e pasur kur të ketë gjithnjë e më shumë shqiptarë që ia vlen të prodhojnë këtu. Këtë kontratë duam ta ndërtojmë së bashku me sipërmarrjen shqiptare.

“`

Scroll to Top