Vaji i Ullirit Elbasan: Rritje Prodhimi & Eksportesh me Garanci Sovrane

Garancia Sovrane mbështet zgjerimin e prodhimit dhe eksporteve të vajit të ullirit në Elbasan

Investimet në teknologji moderne dhe mbështetja përmes Skemës Kombëtare të Investimeve dhe Kredisë së Butë me Garanci Sovrane po mundësojnë që sipërmarrjet në Elbasan të zgjerojnë prodhimin dhe praninë e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Njëra prej brendeve të reja në prodhimin e vajit ekstra të virgjër të ullirit dhe ullirit të tavolinës, “Toka Olives Oil”, ka investuar në pajisje dhe linja të reja për përpunimin e ullirit, me synimin për të rritur kapacitetet dhe për të përmirësuar më tej cilësinë e produkteve.

Në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve, kjo sipërmarrje ka lidhur një kontratë me Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) për mbështetjen e investimit në pajisje dhe linja për përpunimin e ullirit. Kompania është gjithashtu përfituese e Kredisë së Butë me Garanci Sovrane.

Pranvera Goxho, përfaqësuese e kompanisë, shprehet se kompania ka krijuar tashmë një brand të ri në sektorin e vajit të ullirit dhe ka nisur eksportet. “Jemi një kompani e re dhe kemi krijuar një brand të ri të vajit të ullirit. Tani po eksportojmë dhe synojmë zgjerimin, falë investimeve në teknologji moderne, me mbështetjen e Skemës Kombëtare dhe Garancisë Sovrane”, thekson Goxho.

Produktet e kompanisë eksportohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe në tregjet evropiane, ndërsa janë gjithashtu të pranishme në tregun vendas. Krahas zgjerimit të tregjeve, produktet e kësaj kompanie kanë marrë vlerësime edhe në arenën ndërkombëtare. Vaji organik i ullirit i kompanisë është vlerësuar me çmimin “Gold Award” në Kanada.

Investimet në teknologji të reja synojnë t’i japin më shumë vlerë prodhimit vendas, duke rritur kapacitetet përpunuese dhe mundësitë e eksporteve të produkteve shqiptare të ullirit në tregjet ndërkombëtare. (ATSH)

Scroll to Top