Rusi-Gjermani: Moska mbyll Konsullatën në Shën Petersburg

Përplasje e fortë mes Rusisë dhe Gjermanisë: Moska mbyll Konsullatën Gjermane në Shën Peterburg

Një tjetër përplasje diplomatike ka përfshirë Rusinë dhe Gjermaninë, pasi Moska ka vendosur t’i japë fund veprimtarisë së Konsullatës së Përgjithshme Gjermane në Shën Petersburg.

Vendimi është marrë nga Ministria e Jashtme ruse, e cila ka revokuar autorizimin për funksionimin e përfaqësisë diplomatike. Sipas vendimit të Moskës, konsullata duhet të pushojë aktivitetin deri më 18 shtator. Po ashtu, anëtarët e stafit të saj janë urdhëruar të largohen nga territori rus brenda së njëjtës datë.

Masat ruse nuk janë kufizuar vetëm te përfaqësia diplomatike. Kremlini ka urdhëruar edhe mbylljen e qendrave kulturore gjermane “Goethe” në Rusi. Punonjësit gjermanë të angazhuar në këto institucione duhet të largohen nga vendi deri më 13 shtator.

Moska e ka justifikuar vendimin duke akuzuar autoritetet gjermane për nxitje të një tjetër përshkallëzimi në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ministria e Jashtme ruse deklaroi se Berlini do të mbajë përgjegjësi për pasojat që mund të sjellë përkeqësimi i mëtejshëm i raporteve dypalëshe.

Në sfondin e këtij zhvillimi qëndrojnë edhe tensionet e krijuara pas një incidenti të fundit në aeroportin e Leipzigut. Më 4 gusht, autoritetet gjermane zbuluan një dron pranë një avioni ukrainas, duke pezulluar përkohësisht përdorimin e të dyja pistave. Pas incidentit, ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt e cilësoi ngjarjen si pjesë të një serie veprimesh hibride që, sipas tij, lidhen me Rusinë dhe synojnë të krijojnë destabilizim në Evropë.

Scroll to Top